“Tollovi dhe pritje të gjata për nxjerrjen e dokumenteve personale. Qytetarët përveçse për pritje të gjata ankohen edhe se nuk mund të nxjerrin pasaporta me procedurë të zakonshme, por duhet të paguajnë më shumë, gjegjësisht, pasaporta mund të marrin vetëm me procedurë urgjente”, raporton Almedina Ismajli, gazetare e TV21.
-Jo, jo asgjë, vetëm mora kërkesat, ma dhanë një numër për t’u paraqitur nesër dhe aq.
Për çfarë keni ardhur?
-Kam ardhur për pasaportë, lejen dhe letërnjoftimin.
Çfarë ju thanë për pasaportën?
-Prej nesër e andej.
Si ishte brenda a kishte tollovi?
-Brenda s’hyehej fare, shtyjë atë shtyjë këtë, mezi hyra, secili hidhërohej.
Sa keni pritur?
-Unë vetëm gjysmë ore, hyra dhe dola, vetëm pyeta. Ka shumë pritje, me orë të tëra të tjerët.
-Për pasaportë me procedurë të shpejtë e kemi dorëzuar të premten edhe ende nuk është gati, nuk dinë ta gjejnë. Turp për këtë shtet çfarë bëjnë me njerëz me orë presin për një pasaportë.
A ka tollovi brenda?
-Mos pyet, turp, deshta të fotografoj t’ua dërgoj mediave, çfarë të them tre orë, prej orës 8 deri në 12 prita që të më thotë se pasaporta nuk është gati.
Pasaportat dhe të tjerat i keni nxjerr?
-Jo, jo shumë njerëz nuk mundem të hyjë.
-Vitin e kaluar në gusht, pra 2023 caktuam termin për në janar, u fotografuam në janar e tani provuam të paguajmë me procedurë të shpejtë por nuk na gjetën dokumentet. Duhet të udhëtoj për arsye shëndetësore për fëmijët, deri në mars më së voni duhet të udhëtoj për fat të keq, ndërsa unë kam ndërruar dokumentet në vitin 2021, por me Maqedoni, i kam ndërruar e përsëri duhet t’i ndërroj.
Të punësuar në njësitë për nxjerrjen e dokumenteve personale, prapa kamerës na thanë se nuk ka materiale për pasaporta dhe se aktualisht jepen vetëm pasaporta me procedurë të shpejtë. Zv/ministri i brendshëm Mitko Bojmacaliev, duke folur për mungesën e materialeve për pasaporta, thotë se nuk bëhet fjalë për ndonjë sabotim nga ministrit të brendshëm aktual.
“Askush nuk po saboton askënd në këtë Ministri. Vetëm do të them se ditën kur është bërë pranim-dorëzimi mes ministrit Spasovski dhe ministrit Toshkovski kanë ardhur 50 mijë materiale, ditën tjetër kanë ardhur 20 mijë, nuk bëhet fjalë për ndonjë sabotim. Ne presim një dërgesë më të madhe deri në fund të muajit. Gjithashtu në muajin qershor vjen një dërgesë e madhe që do të plotësojë të gjitha nevojat e qytetarëve, atyre që kanë bërë foto për të marrë dokumentet”, theksoi Mitko Bojmacaliev – zv/ministër shtesë i Punëve të Brendshme.
Ndryshe deri në këtë moment, mbi 1.300.000 qytetarë kanë ndërruar dokumentet e udhëtimit. Lidhur me informacionet se disa shtete lejojnë hyrjen në vendet e tyre me dokumente të vjetra udhëtimi, zëvendësministri shtesë tha se vendet duhet të vendosin përfundimisht për këtë cështje dhe u bëri thirrje qytetarëve që t’i nxjerrin dokumentet e reja për të mos pasur telashe.
