S’ka hapësirë të madhe për masa për ushqimet, pritet statistika! Mickoski: Biletat ajrore do të ndikojnë më së shumti në inflacion

TË FUNDIT

Çmimet më të larta të biletave ajrore do të ndikojnë më së shumti në inflacionin e prillit, vlerëson kryeministri Hristijan Mickoski, i cili siguron se te ushqimet ai do të jetë nën 1 për qind në nivel mujor, nëse krahasohet prilli me marsin. Thotë se ne nuk mund të mbetemi imunë pasi inflacioni edhe në eurozonë po rritet. Pret stabilizim këtë muaj, muajin tjetër të jetë nën 4%, dhe nëse stabilizohet situata në Iran, këtë vit ta mbyllim me inflacion 2 deri 3%.

“Po i analizojmë shifrat nga Inspektorati Shtetëror i Tregut. Shifrat që i marrim për çmimet e ushqimeve në nivel mujor prill krahasuar me marsin janë diku nën 1 për qind të rritura, rreth 1 për qind. Më së shumti janë rritur shërbimet e transportit dhe këtu nënkuptohen transportuesit ajrorë me buxhet të ulët, biletat dhe natyrisht ato do të ndikojnë në çmimin përfundimtar, respektivisht në shumën përfundimtare të inflacionit për prill”, tha Mickoski.

Enti Shtetëror i Statistikave nesër do të publikojë normën e inflacionit për prill dhe nga ajo do të varet nëse do të ketë masa edhe për ushqimet. Kryeministri pranon se nuk ka hapësirë të madhe për manovra në Buxhet.

“Ne nuk kemi hapësirë të madhe për manovër si Qeveri përveçse të ndikojmë në tatimin mbi vlerën e shtuar, sepse nëse i rrisim çmimet dhe marzhet, ato derdhen në muajt e tjerë dhe kjo u tregua si masë e keqe”, deklaroi Mickoski.

Pavarësisht prodhimit të reduktuar të energjisë elektrike të EVM-së, Mickoski siguron se nuk do të ketë korrigjim në çmim deri në fund të vitit. Pohon se TVSH-ja e reduktuar për karburantet dhe akcizat e ulura po japin rezultate. Kemi karburantin më të lirë në rajon dhe nuk është problem që i shërbejmë edhe fqinjët. Por problem janë kompanitë për të cilat ka të dhëna se bëjnë ri-eksport të karburantit. Mickoski thotë se të dhënat po analizohen dhe nëse kjo provohet, do të përgjigjen. Ndërkaq, çmimi i naftës në tregjet botërore ra nën 100 dollarë për fuçi pas njoftimeve të SHBA-së se lufta me Iranin përfundoi.