S’ka datë për kampusin e UNT-së, drejtuesit vizitojnë kazermën që duhet të shndërrohet në universitet

TË FUNDIT

Kështu duket aktualisht objekti i cili do të shndërrohet në kampusin e ri të Universitetit “Nënë Tereza”. Lokacioni është në kazermën “Ilinden”, ndërsa së fundmi e vizitoi rektori Izet Zeqiri me udhëheqësinë e universitetit. Edhe pse që në vitin 2016 është thënë se toka në kazermën “Ilinden” është caktuar që të jetë në shërbim të këtij universiteti, ende nuk është lëvizur asnjë gur, ndërkaq me rastin e vizitës në faqen zyrtarë të UNT-së është shkruar “UNT ecën shpejt…”

Ishim në inspektim, te vendi te kazerma “Ilinden”, ku pamë objektet, tre objektet atje që janë jofunksionale, të cilat duhet të prishen dhe të hapet hapësira për objektin e kampusit final”, tha Bunjamin Bela, prorektor i UNT-së.

Përsëri nuk ka ndonjë datë se “sa shpejtë do të ecë UNT”, pra se kur pritet të nisin dhe të përfundojnë punimet.

Besoj që shumë shpejt do të kemi hapa konkret, sa të përfundojë procedura e furnizimit publik në lidhje me tenderimin ose rikonstruktimin e objektit ekzistues. Është diku 3000m2, në të cilën po tentojmë që në një afat të shkurtë që të hyjnë studentët dhe ne së bashku në ato hapësira. Janë hapësira me të vërtetë magjepsëse nga aspekti i pamjes, me të vërtetë ka një pamje të kampusit të cilën e meritojnë studentët e UNT-së”, deklaroi Bunjamin Bela, prorektor i UNT-së.

Përndryshe, ligjëratat aktualisht studentët i mbajnë në hapësirat e ndërtesës së Lidhjes së Sindikatave dhe në shkollën fillore “Kongresi i Manastirit” më Shkup.