Situata epidemiologjike në Serbi kërcënuese

TË FUNDIT

Situata momentale epidemiologjike në Serbi është kërcënuese, për shkak të së cilës nevojitet kontroll më i gjerë mbi përdorimin e masave mbrojtëse, theksoi sot drejtoresha e Institutit serb të Shëndetit publik, Verica Jovanoviq.

Ajo kujtoi se dje, nga rreth 12.000 njerëz të testuar, më shumë se 2.400 kishin test pozitiv për praninë e koronavirusit të ri, që, sipas saj, është një përqindje e lartë.

“Më shumë raste janë regjistruar në Beograd, pason  Novi Sadi dhe Kragujevci, ndërsa rritje të madhe të numrit të të infektuarve të rinj ka në Valjevë dhe Kraljevë. Rreth 15 për qind të rasteve të reja kërkojnë trajtim spitalor, kurse vetëm dje kishim 400 të shtruar në spital, që është një rrezik i madh”, paralajmëroi Jovanoviq.

Ajo u bëri thirrje qytetarëve që të mbajnë distancë fizike dhe t’i shmangin tubimet, duke theksuar se me këtë e ndihmojnë sistemin shëndetësor që do të jetë në dispozicion të tyre në një mënyrë më cilësore./MIA