Sistematizimi i ri i policisë ndez polemika! BDI-Dibër: Humbje kompetencash! Iseni: Vlen për të gjithë RMV-në

TË FUNDIT

Sistematizimi i ri i policisë ka shkaktuar reagime politike, sidomos për Njësinë për Punë të Brendshme në Dibër. Zv. ministri Astrit Iseni thotë se ndryshimet vlejnë për të gjithë territorin e RMV-së dhe synojnë përmirësimin e organizimit dhe dinjitetit të policisë. Sa i përket reagimeve për emërimin e kryeshefit të Policisë Kufitare në Ohër, i cili mbulon edhe Strugën, Kërçovën dhe Dibrën, Iseni theksoi se problemet janë shkaktuar nga mungesa e një kandidati adekuat. Ai shtoi se me sistematizimin e ri, pozicioni do të synojë të kthehet përsëri te shqiptarët.


“Kjo nuk ka të bëjë me shqiptarët. Sistematizimi parasheh gjithë territorin e RMV-së, nuk është vetëm Dibra e përfshirë. Në këtë sistematizim të ri kompetencat kalojnë në stacionin policor të Ohrit, por janë të përfshirë edhe të gjitha stacionet e tjera. Intenca është krejt diku tjetër, që me sistematizimin e ri të ngrihet dinjiteti i zyrtarëve policorë. 5-38 Paraprakisht kjo ka ndodhur përafërsisht para 8–9 muajve. Normalisht, në pamundësi për të gjetur në atë sektor përfaqësues shqiptar, jemi dakorduar që, në kombinim të atij pozicioni, të marrim pozicione të tjera, kështu që ndoshta kemi përfituar pozicione të tjera, siç janë sektorë të tjerë”, deklaroi Astrit Iseni – zëvendësministër i MPB-së.


Reaguan nga dega e BDI-së në Dibër, nga ku insistojnë se me procesin e sistematizimit të ri në Ministrinë e Punëve të Brendshme do të humben funksionet kryesore si: kryeshef i policisë, kryeshef i njësisë antikrim, zëvendëskomandant dhe komandant i pikës kufitare, ndërsa vendimmarrja do të kalojë nën juridiksionin e Sektorit për Punë të Brendshme në Ohër.


“Dibra është rajon kufitar me rëndësi strategjike dhe kërkon prani të plotë institucionale dhe kapacitete funksionale vendimmarrëse në fushën e sigurisë. Çdo vendim që mund të nënkuptojë dobësim të strukturave lokale apo zhvendosje të kompetencave duhet të shqyrtohet me kujdes maksimal dhe mbi baza profesionale”, thonë nga BDI dega Dibër.


Nga BDI thonë se çdo ndryshim që prek strukturën dhe funksionimin e policisë lokale ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e qytetarëve, efikasitetin e shërbimeve dhe ndjenjën e barazisë institucionale për dibranët.