Sindikata e Qendrës Klinike nesër sërish në protestë! Pasi morën pagat e janarit kërkojnë edhe rritjen e premtuar

TË FUNDIT

Ka filluar të lëshohet paga e janarit për punëtorët shëndetësorë, ashtu siç informuan edhe nga Fondi për sigurim shëndetësor. Mirëpo jo të gjitha klinikat kanë marrë pagat, tregon nënkryetari i sindikatës së Qendrës Klinike, Predrag Serafimovski.

“Paratë u lëshuan në llogaritë e disa klinikave, por 6-7 klinika ende nuk i kanë marrë, shpresoj që sot të marrin të gjithë”, tha Predrag Serafimovski  – nënkryetar i sindikatës së QKU.

Mjekët e qendrës klinike nesër do të mblidhen në kohën e pauzës, për mos t’i lënë keq pacientët dhe të shprehin pakënaqësitë e tyre, për mos përmbushjen e premtimit për rritjen e pagave.

“Siç jeni të informuar marrëveshja kolektive për të cilën kemi negociuar 3-4 muaj që u arrit gojarisht, por ende nuk është nënshkruar. Një nga kërkesat është që sapo të vij ministri i ri të nënshkruhet ajo marrëveshje kolektive, ku jemi marr vesh 3000 denarë bruto për punëtorët shëndetësor me shkollë te mesme dhe të lartë dhe 2000 denarë për të gjithë punëtorët tjerë, ndihmës mjekë dhe bashkëpunëtoret shëndetësor. Kërkesa tjetër është që të kyçemi në ligjin për sistemin e pagave”, pohoi Gordana Dimeska – Bordi Ekzekutiv i Sindikatës së QKU.

Tre javë më parë në emisionin Click Plus ministri në largim i shëndetësisë Bekim Sali, tha se për një javë do të nënshkruhet marrëveshja e re kolektive për rritje të pagave, dhe se nga shkurti do të ketë rritje, por e njëjta nuk u përmbush.

“Mund të shpalosi një lajm ekskluziv se do t’i përmirësojmë pagat në shëndetësi për shumë grupe, dhe brenda javës së ardhshme do të kemi promovimin e marrëveshjes që do ta bëjmë me Sindikatën”, tha Bekim Sali – ministër i Shëndetësisë.

Duke pasur parasysh se kërkesa për pagesën e pagave për muajin janar është pranuar, Sindika e pavarur medicinale kanë njoftuar se nuk do të organizojë apo marrë pjesë në protestë apo grevë. Gjithashtu nuk do të bëjnë kallëzim penal ndaj personit përgjegjëse për sistemin.