Presidentja Gordana Siljanovska Davkova sot, në ditën e fundit të afatit, ia dorëzoi mandatin liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoskit. Me këtë, mandatari Mickoski ka afat prej 20 ditëve për formimin e qeverisë së re, ndërsa duke marrë parasysh se negociatat me partnerët e koalicionit, VLEN dhe ZNAM janë kah fundi, pritet që shumë shpejt të dorëzohet propozimi për kabinetin e ri qeveritar deri te Kuvendi. Jozyrtarisht pohohet se zgjedhja e qeverisë së re do të jetë më 17 qershor. Kryetari i Kuvendit u zgjodh me 76 vota që ma jep të drejtën që t’ia japë mandatin partisë e cila e ka numrin më të madh të votave të shumicës së sapoformuar, që është hapi i vërtetë juridik dhe politik, tha presidentja Siljanovska.
“Ky rezultat dhe negociatat që po zhvillohen ma japin të drejtën të mendoj se lideri i VMRO-DPMNE-së, z. Hristian Mickoski ka mundësi serioze për të formuar qeveri përkatësisht të marrë 61 vota me programin e tij për përbërjen e re qeveritare që do ta propozojë në 20 ditët e ardhshme”, tha Gordana Siljanovska Davkova, presidente e RMV-së.
Mandatari Mickoski shprehu mirënjohje dhe paralajmëroi se qeveria e re do të jetë reformuese, me fokus në ekonomi, rritjen e standardit dhe sundimin e së drejtës.
“Dua të paralajmëroj se shumë shpejt duke nisur nga sot do të formohet qeveria ere, qeveria reformuese, që do të ketë si detyrë dhe qëllim të merret me reformat, t’i lëvizë proceset përpara, të mos fundosemi si shtet në baltën politike të përplasjeve politike por ta zhvillojmë shtetin tonë, qytetarët në Maqedoni të ndihen mirë, të mos ketë qytetarë të rendit të parë apo të dytë, të gjithë ne të jemi të barabartë, t’i lëvizim punët në ekonomi”, shtoi Hristian Mickoski, mandatar për qeverinë e re.
Mickoski pas marrjes së mandatit tha se qeveria e re do të formohet para skadimit të afatit, se e kanë shumicën e duhur, por se presin që të kalojë Ligji për riorganizimin e ministrive i cili nesër do të gjendet para deputetëve për miratimin e nevojës për sjelljen e tij, ndërsa në ditët në vijim i njëjti do të votohet.
