Shumë kalkulime për formulimin e listave zgjedhore në prag të zgjedhjeve parlamentare të 8 majit. Në Bashkimin Demokratik për Integrim, po bëhen analiza dhe sondazhe se kush dhe cilës listë duhet t’i prijë. Sipas burimeve të TV21, Musa Xhaferi pretendon të jetë bartës liste në zonën zgjedhore 5 sepse është i bindur se ka përkrahje dhe mund të bëjë unifikimin e BDI-së në këtë zonë dhe të nxjerrë së paku tre deputetë. Mirëpo zona 5 mund të komplikohet nëse BDI shkon bashkë në një listë me ASH-në e Ziadin Selës.
Situatë e ngjashme është edhe në zonën 1, ku bartës liste insiston të jetë Blerim Bexheti. Në BDI ka dilema nëse Talat Xhaferi do të ishte i pranueshëm si bartës liste në zonën 1. Sipas burimeve, BDI në këtë zonë po bënë çmos që të dalë më mirë me rezultate në krahasim me Izet Mexhitin. Madje në këtë zonë, thuhet se edhe Adnan Ismaili mund të jetë në listë me qëllim që të tërheqë votues potencial të Lëvizjes Demokratike. TV21 tentoi të komunikojë edhe me Musa Xhaferin por i njejti nuk u përgjigj. Biseduam me Blerim Bexhetin.
“Është akoma herët, është proces i brendshëm. BDI në organet e veta do të vendosë në kohën e duhur, së shpejti edhe për këto çështje dhe kur të jenë oficiale, gjithsesi se opinioni do të informohet.
Ju personalisht e kërkoni këtë pjesë? Që të jeni bartës liste në 1?
Unë asnjëherë personalisht nuk kam kërkuar asnjë pozicion”, tha Blerim Bexheti – BDI .
Duke komentuar këto analiza në BDI, kreu i Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti, thotë se integristët kanë probleme sepse të gjithë duan të jenë pjesë e listave për të ruajtur imunitetin.
“Kanë shumë probleme, sepse të gjithë duan të futen në lista se iu duhet imuniteti”, pohoi Izet Mexhiti – VLEN.
Duke komentuar deklaratën e Mexhitit, Blerim Bexheti i dërgon porosi që le të bëhet gati për të festuar fitoren e BDI-së më 8 maj.
“Janë të vetëdijshëm që fitorja e thellë do të jetë e BDI-së. Kanë kohë deri më 8 maj të përgatisin letrën e urimit të fitores të Bashkimit Demokratik për Integrim”, tha Blerim Bexheti – bisedë telefonike.
Qendisja finale e listave të BDI-së varet edhe nga ajo se si do të vendosë ASH-ja e Selës, nëse do të garojnë vet apo me BDI-në. Për ASH-në e Selës, vendimi nuk është i lehtë.
“Kalkulimet politike sigurisht se janë te çdo subjekt politik. Analizat politike janë te çdo qendër analitike partiake. Normalisht që në këto situata, vendimet nuk janë edhe të lehta. Ju e keni tani edhe situatën për president. Siç thoshte edhe kolegu Lloga, ne jemi në situatë ku duhet të zgjedhim mes një ish kundërshtari të cilin sot e kemi partner koalicioni, dhe ish kryetarin tonë që devijoi procesin politik dhe u largua”, deklaroi Naim Bajrami – zëdhënës i ASH- krahu i Selës.
Për radhitjen në lista, Bajrami shtoi se në zonën e 5 zgjedhore të gjithë janë dakord që procesit duhet t’i prijë kryetari i tyre i partisë, Ziadin Sela.
Por çfarë planesh ka opozita? A do të jenë Izet Mexhiti dhe Afrim Gashi bartës liste në zonat 1 dhe 2? Për Mexhitin, kjo çështje ka pak rëndësi.
“Pak me rëndësi janë. E kemi thënë, neve na bashkon platforma, na bashkon programi, na bashkon oferta dhe zgjidhjet konkrete për problemet e qytetarëve. Pak me rëndësi janë ngjyrat partiake, individët dhe vlerat tjera”, tha Izet Mexhiti – VLEN.
Megjithatë në koalicionin VLEN, sipas deputetit të ASH-së, Halil Snopçe, ka një marrëveshje xhentëlmenësh. I ftuar në Click Plus, tha se të gjitha partitë e koalicionit pritet të jenë bartës të ndonjë prej listave zgjedhore ku votojnë shqiptarët. Kasami pritet të jetë bartës në zonën 6, Gashi në zonën 2, Mexhiti në zonën 1 ndërsa në zonën 5 pritet të jetë përfaqësues i Taravarit.