Kishte ndryshuar mbiemrin nga Lamaj në Mandela dhe ishte vendosur në krye të punëve të gjithë fisit të tij, edhe pse thuajse më i riu në moshë. Vilson Lamaj, me baba nga Sevasteri dhe me nënë nga Ramica, i katërti në familjen prej pesë djemsh, kishte investuar deri në detaje për karrierën e tij në fushën e trafikut të drogës. Ai bashkon rreth vetes vëllezër, djem dajash, kushërinj, si dhe dy shok, të cilët, edhe ata sjellin lidhjet e afërta të tyre në grup. Gjithsej 14 persona janë zbuluar si pjesë e grupit kriminal që vepronin, jo vetëm në fushën e trafikut të drogës, por edhe në grabitje me dhunë të vilave dhe apartamenteve, si dhe janë hetuar për trafik femrash.
Historia e djemve nga Vlora, në fakt, nuk është rastësi, pasi vëllai i Vilson Lamajt, Sokoli, 34 vjeç, është një person mjaft i njohur nga policia italiane në fushën e narkotrafikut. Ai përveç se rezulton i dënuar në Itali, mësohet se është edhe i zoti i një sasi lënde narkotike të kapur nga autoritetet italiane në marsin e këtij viti. Pas hetimeve intensive, bëhet me dije se italianët e antidrogës kanë rënë në gjurmët e shqiptarëve, duke hetuar një tjetër grup. Në fakt, sipas të dhënave që janë publikuar nga media italiane përgjatë gjithë ditës së djeshme, bëhet me dije se ka qenë pikërisht emri i Vilsonit që ka dalë në përgjimet e një tjetër grupi kriminal, përgjime që kishin nisur nga prokuroria e Bolonjës.
Zbulimi
Gjithçka ka nisur në Janar të këtij viti, ndërsa italianët po punonin për kapjen e një grupi shqiptaro-italian. Vilson Mandela ka dalë në kodet e përgjimit e për pasojë, italianët kanë pikasur grupin që vepronte në zonën e Riminit. Prej janarit 2015 e deri tri ditë më parë, teksa shqiptarët përgatiteshin për “Fluturimin e Lirë”, italianët e hetimit nuk i janë ndarë grupit të drogës, ndërsa rreth një muaj e gjysmë më parë, ata dërgojnë një letër-porosi te homologët shqiptarë, ku kërkojnë të verifikojnë të gjithë aktivitetin e vëllezërve Lamaj. Hetimi italian, përveç se ka dhënë goditje sporadike disa ngarkesave që kanë kaluar në tokën e tyre nga i njëjti grup, ka verifikuar se Vilson Lamaj, vetëm 26 vjeç, ishte kualifikuar në shkollën e pilotimit dhe se po bëhej gati të merrte një avion të vogël me qira për të kryer fluturimin e parë “turistik” në drejtim të Shqipërisë.
Mirëpo, gjatë përgjimeve intensive, bëhet me dije se fisi i drogës, nëse do të kryente me sukses rrugën e parë, atëherë do të blinte një avion me kapacitet më të madh, pasi ai i kapuri nuk ngrinte më shumë se 130 kg. Teksa po bëhej gati fluturimi, policia italiane ka mbërritur tek avioni i vogël dhe e ka pajisur me një GPS, element që ka bërë të mundur pasqyrimin e të gjithë itinerarit. Avioni është ulur në Xhelilaj, zonë në të cilën kryhej edhe kultivimi i marijuanës dhe prej andej është nisur për në Itali. Atje, avioni që pilotohej nga 26-vjeçari Lamaj, po pritej nga një napolitan me një kamionçinë, i cili do të bënte edhe transportin e drogës nga pista për në vendin ku ishte destinacioni përfundimtar. Aty ka ndërhyrë skuadra e policisë italiane, duke bërë të mundur ndalimin e pilotit dhe të napolitanit, ndërsa arrestimet e tjera janë kryer paralel në të njëjtën kohë në Vlorë dhe në Itali.
Hetimi shqiptar
Prej më shumë se një muaji, Sektori i Krimeve të Rënda në Prokurori dhe Polici kanë marrë udhëzime të qarta për sa i përket mekanizmit se si funksiononte grupi fisnor i trafikut të drogës në vendin tonë. Hetimet dhe përgjimet kanë zbuluar se personi që kishte marrë përsipër të mbronte punën e fisit Lamaj, ishte pikërisht një efektiv i policisë së Vlorës, një person, që ishte larguar nga radhët e policisë në vitin 2007 dhe ishte rikthyer në vitin 2013. Kësaj here, efektivi kishte marrë edhe pozicionin e Shefit të Personelit në policinë e Vlorës, ndërsa mësohet se, jo vetëm kishte siguruar mosprekjen e parcelave që ishin kultivuar në Xhelilaj, por edhe vetë shkonte dhe ndihmonte në mbarëvajtjen e punëve atje. Policia dhe prokuroria, në daljen e përbashkët para kamerave, anashkaluan rolin e shefit të personelit, një post kyç në Drejtorinë e Qarkut Vlorë. E gjithë pesha e akuzës së trafikut ndërkombëtar të drogës, bie mbi djemtë e familjes Lamaj dhe dajat e tyre. Policia e Shtetit bëri me dije ditën e djeshme, se në fakt, rruga e dy ditëve më parë është e para që bëhet me avion nga djemtë e familjes Lamaj, ndërsa nëse do të arrinin të realizonin këtë, grupi pritej të pajisej me avion personal, për të kryer vetëm me avion të gjithë transportin e mallit.
