Masat e propozuara anti-Covid, që qytetarët të mos pranojnë më shumë se 4 persona mysafirë dhe të mbahet maskë në ambient të hapur, ka ngjallur reagime në publik. Por, pjesa dërrmuese e qytetarëve që i intervistoi TV21 janë të mendimit se masat duhet të respektohen dhe se duhet të rritet vlera e gjobave.
“I dëgjuam të gjitha. A duhet të mbahet maskë në të hapur dhe të kufizohet numri i mysafirëve? Patjetër, patjetër. Dënime të ashpra. Patjetër t’u tërhiqet vërejtja. Autobusët janë të stërmbushur. Janë gjysma pa maska. Për mysafirët? Gjithçka duhet të kufizohet. Duhet të jetë në kuadër të kufijve të të lejuarës. Dihet, distancë prej 2 metrash. Le të ketë mysafir, por të jetë ulja në distancë siç është thënë”, tha ky qytetar.
“Janë shumë të mira, sepse mbrojnë”, tha një tjetër.
“Nëse duhet po. Do të thotë jeni të gatshëm për të mbajtur maskën edhe në të hapur? Gjithçka çfarë duhet, po”, deklaroi kjo qytetare.
Por, ka qytetarë që pyesin: pse duhet të mbahet maskë në ambient të hapur dhe a do ta shkelë policia privatësinë nëse futet nëpër shtëpi për të kontrolluar numrin e mysafirëve?
“Për kufizimin e mysafirëve po, por për maskë në të hapur, kur nuk jam në tollovi, nuk e di. Nuk mund të marr as frymë dhe as të shikoj. Por, do ta mbaj. Kurse për kufizimin? Po, po. Konsideroni se policia duhet të intervenojë nëpër shtëpi? Po po, por se di sa ajo do të jetë shkelje e privatësisë? Nëse është ligj, le të respektohet”, deklaron qytetarja.
Por jo të gjithë qytetarët ndajnë mendimin e njëjtë.
Nëse masa që u propozua dje nga ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe hynë në fuqi, a do të thotë se edhe funksionarët derisa mbajnë konferenca për media do të dënohen nga policia edhe nëse janë të vetmit që janë pa maska?
Në këtë pyetje u përgjigj ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
“Nuk do të doja të flisnim tash për masa të cilat nuk janë sjellë në Qeveri dhe që nuk e dimë se cila do të jetë forma përfundimtare e tyre. Për këtë thash, do t’i dëgjojmë masat, do t’i dëgjojmë argumentet e autoriteteve shëndetësore për çdo masë dhe atëherë do të sillet vendim në Qeveri”, tha Spasovski.
Sa i takon dilemave, se a do të kontrollojë policia shtëpitë e qytetarëve për të parë se a kanë më shumë se 4 mysafirë, Spasovski siguroi, shtëpitë mbeten të paprekura.
“Një gjë duhet të dinë edhe qytetarët, se intervenimi i policisë do të jetë në kuadër të dispozitave të Kushtetutës dhe normave ligjore. Shtëpia dhe banesa që të jetë e paprekshme, është kategori kushtetuese, dhe ajo është e shenjtë për çdo qytetar dhe këtë këtu askush nuk mund ta cenojë”, sqaroi më tej Spasovski.
Meqë Komisioni propozon masa që janë anti-kushtetuese, a nuk duhet të jetë pjesë e Komisionit edhe Ministria e Punëve të Brendshme. Spasovski nuk mendon se ai duhet të marrë pjesë në diskutimet dhe hartimet e protokolleve, edhe pse sërish deklaroi, se rekomandimet shqyrtohen në Qeveri dhe sillet vendim. Nuk e sheh të arsyeshme as rritjen e gjobave, që kjo të jetë formë shtytëse që qytetarët t’i mbajnë maskat.