Sa do të ndikojë pushtimi rus i Ukrainës ndaj ekonomisë së vendit tonë dhe në botë në përgjithësi?
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekomomike të Maqedonisë veriperëndimore, Drilon Iseni në emisionin e “Click Plus” tha se ndikim më të madh pret në sferën e energjetikës. Tregu evropian në përmasa të mëdha furnizohet me gaz dhe me derivatet e naftës prej këtyre dy vendeve prej të cilëve ne varemi shumë si shtet, tha Iseni.
“Në sferën e energjetikës e dimë se 40% të gazit në Evropë dhe 25% të derivateve të naftës vijnë prej këtyre vendeve dhe gjithsesi se kjo do të reflektojë edhe në tregun evropian prej të cilit varemi edhe ne si shtet. Po ashtu po prishet zinxhiri i furnizimit dhe kjo do të reflektojë fuqishëm në ekonominë botërore dhe mund të rezultojë me uljen e furnizimit me ushqim. E dimë se Ukraina dhe Rusia përbëjnë 30% nga eksporti botëror i grurit, 19% nga eksporti i misrit dhe 80% nga eksporti i vajit të lulediellit”, bën të ditur Iseni.
Sinisha Naumovski nga Këshilli i Bankës Popullore mendon se pushtimi rus ndaj Ukrainës nuk do të ndikojë në mënyrë të konsiderueshme ndaj ekonomisë vendore, por po në mënyrë indirekte. Bankat e Maqedonisë nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me bankat ruse, theksoi ai.
“Nuk do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë ndaj ekonomisë maqedonase por në mënyrë indirekte, nuk e dimë se çfarë do të jetë ndikimi ndaj vendeve evropiane, ndërsa ne në mënyrë suficitare jemi varur nga shkëmbimi tregtar me Republikën e Gjermanisë federale. Unë këtu ndoshta do t’i projektoja rreziqet për shkak se e dini se sa kompanitë gjermane i kemi në zonat teknologjike industriale, dhe në këtë aspekt nuk e dimë se si do të lëvizin gjërat. Të mos harrojmë se Rusia është eksportuesi më i madh në Evropë në sferën e energjetikës dhe metaleve”, vlerëson Naumovski.
Ekonomia e Maqedonisë së Veriut nuk është e lidhur drejtpërsëdrejti me atë ruse. Tregtimi është rreth 2% nga shkëmbimi i përgjithshëm tregtar. Investimet e huaja të drejtpërdrejta janë 0,5% dhe dërgesat në deviza janë motivues të mëdhenj të ekonomisë, ndërsa pagesat ruse në Maqedoni marrin pjesë me vetëm 0,1%.
