Si do ta formojë Xhaferi qeverinë? Mexhiti: Ai është kryeministër teknik, jo politik

TË FUNDIT

Për kryeministrin e ardhshëm teknik Talat Xhaferi, nuk ka rëndësi se kush do të marrë postet në ekzekutiv gjatë qeverisjes së tij. Kështu u shpreh ai në emisionin Click Plus në TV21, duke shtuar se me rëndësi është që personat që do të nominohen të jenë të duhurit dhe që nuk kanë probleme me ligjin. Por me kë do ta bëjë Xhaferi kabinetin e Qeverisë teknike dhe a do të mbetet Artan Grubi zv/kryeministër?

Si me VMRO-në, si pa VMRO-në, z.Grubi mbetet zv/kryeministri i juaj, kur të bëheni juve kryeministër? Unë nuk kam problem me emrat e përveçëm, cilidoqoftë të jetë. Nuk kam unë problem absolut. As me këdo që mundet VMRO-ja…? Nuk kam problem me cilin do të bashkëpunojë, çështja e kabinetit është çështje e komunikimit mes liderëve dhe mes subjekteve. Nuk është çështja a e kthej unë, është çështja a ka problem me ligjin apo nuk ka problem me ligjin”, tha Talat Xhaferi – kryetar i Kuvendit.

Zgjedhjen e Xhaferit si kryeministër teknik, opozita shqiptare e sheh si kombinim me palën maqedonase, që të mos akumulohen dy funksione të larta te shqiptarët. E për Izet Mexhitin nga LEN ky funksion nuk ka peshë, sepse siç shton, është vetëm për të organizuar zgjedhjet.

“Merret një pozitë e kryeministrit teknik, nuk marrin kryeministër politik, thjesht pra do të jetë një qeveri vetëm në funksion të organizimit të zgjedhjeve që duhet të pasojnë. Nuk do të ketë mundësi  as për vendime politike e as në të mirë të qytetarëve. Thjesht si organizator të zgjedhjeve të ardhshme, shkurt e shqip do të pasurohet biografia e Xhaferit por nuk do të përmirësohet jeta e qytetarëve”, pohoi Izet Mexhiti, LEN.

Ndërkaq në lidhje me deklarata e opozitares maqedonase, VMRO-DPMNE-së se Xhaferi është i padenjë për postin e kryeministrit, e për këtë kryeparlamentari aktual tha se po e njëjta parti kur ka qenë në pushtet, ka pranuar që ai të drejtojë Ministrinë e Mbrojtjes.