Rritje të çmimit të energjisë elektrike nuk do të ketë për qytetarët të cilët kanë të ardhura mesatare dhe harxhojnë rrymë deri në kufirin e bllokut të dytë, shpjegoi ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi. Siguroi se rritja e TVSH-së për energjinë elektrike nga 1 janari, nuk do të ndikojë në çmimin përfundimtar të energjisë elektrike për amvisëritë, megjithatë tha se nuk është në rregull që disa amvisëri të cilët harxhojnë sa një kompani të paguajnë rrymë sa qytetarët që janë me paga mesatare.
“Për qytetarët të cilët janë në bllokun e parë dhe të dytë e të cilët janë pjesa dërrmuese e vendit tonë, për ta nuk do presim të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike. Nuk është në rregull që në kohë krize disa amvisëri të caktuara të cilat kanë të ardhura më të larta, të cilët mund të paguajnë faturat e energjisë elektrike të kenë çmim të njëjte me ata qytetarë të cilët kanë të ardhura mesatare. Amvisëri të caktuara në vendin tonë kanë harxhuar më shumë se disa kompani edhe atë kompani të mëdha në vendin tonë. Po flasim për mbi 30- 40 megavat në muaj”- deklaroi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.
Rritje të çmimit nuk do të ketë as për ngrohjen. Drejtori i SHA “EMV” Vasko Kovaçevski tha se për muajin dhjetor është siguruar gazi, ndërsa për muajin janar në varësi të temperaturave dhe sasive të nevojshme do të sigurohet edhe gazi natyror.
Vasko Kovaçevski, Drejtor i SHA “EMV”
2847/ 10.12-28 “Për dhjetor në total është siguruar gazi natyror për të gjitha ngrohtoret Lindje-Perëndim dhe tani edhe për Shkup-Veri në mënyrë shtesë. Ashtu që të gjitha ngrohtoret do të jenë të furnizuara me gaz natyror”.
Bekteshi tha se nuk është në rregull që qytetarët të manipulohen me informacione se nuk do të kenë rrymë ose ngrohje.
“Për fat të keq i çojnë qytetarët në situatë që të kërkojnë alternativa tjera që për ata janë harxhime shtesë. Ne në vazhdimësi, pothuajse çdo përfaqësues i Qeverisë duke përfshirë edhe drejtorët e kompanive energjetike kemi thënë dhe tani mundet vetëm të përsërisim, qytetarët të jenë të qetë, edhe energji termike edhe energji elektrike do të ketë deri në fund të sezonit të ngrohjes”- tha Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.
Çmimi përfundimtar i energjisë elektrike do të dihet deri në fund të muajit dhjetor, ndërsa përllogaritjet përfundimtare do të shpallen nga Komisioni Rregullator për Energjetikë.
