“Shumica stabile, por në krizë për 2/3-tat”, Kovaçevski: Të ulemi e të gjejmë zgjidhje për ndryshimet kushtetuese

TË FUNDIT

Qeveria është e qëndrueshme, pra ka shumicë, por nuk i ka 80 vota deputetësh për t’i bërë ndryshimet kushtetuese, deklaroi në “Click Plus” kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi. Tha se sigurimi i këtyre 80 në Kuvend është çështje e madhe sepse nga kjo varet integrimi i vendit në familjen europiane.

 “Konstatimi im, nëse ju intereson të përgjigjem drejtpërdrejtë është se Qeveria nuk ka krizë me numra, por ka krizë me sigurimin e 80-shit për ndryshimet kushtetuese dhe kjo krizë shkon pak më larg sesa Qeveria. Këtu bisedohet paër opozitën maqedonase e cila për shkaqe nacionale, mos t’i quaj nacionaliste, nuk pranon që të bëhet pjesë e kësaj marrëveshjeje ku do të ketë ndryshime kushtetuese, të tjetër janë pjesë e marketingjeve grupor e individual që janë të lejueshme e të tolerueshme”, deklaroi Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Për të përkrahur ndryshimet kushtetuese, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa kushtëzojnë Qeverinë me heqjen e “20%”-shit që i referohet shqiptarëve në Kushtetutë. Përveç kësaj ASh ka edhe një kusht tjetër primar, të cilin pritet ta kumtojnë gjatë kësaj jave. I pyetur për kushtëzimet e partive, kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se i vjen mirë që kohëve të fundit po flitet për këtë temë.

Shoh se të gjitha partitë politike të them kanë raport pozitiv kundrejt ndryshimeve kushtetuese, madje edhe ata që ishin kundër tani thonë se në bazë të disa kushteve do t’i kishin mbështetur ndryshimet kushtetuese. Mendoj se duhet të ulemi në tavolinë të gjitha partitë politike, të gjitha t’i thonë supozimet dhe qëndrimet e tyre në lidhje me ndryshimet kushtetuese dhe në fund të vijmë deri te një zgjidhje që normalisht do të jetë e pranueshme për të gjithë”, pohoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Ndërkaq opozitarja VMRO-DPMNE kërkon garanci nga Europa dhe Brukseli se vendi do të hyjë në Bashkimin Europian dhe se nuk do të ketë ndonjë veto tjetër nga Bullgaria. Megjithatë ndryshimet kushtetuese mund të presin diku deri në fund të vitit 2023, por duhet të bëhen para se të hapet kapitulli 23 për gjyqësorin dhe të drejtat themelore. Skriningu do të zgjasë diku deri në nëntor të 2023.