Vetëm dy ditë para zhvillimi të rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale të cilat do të mbahen të dielën disa qytetarë të anketuar nga Tv21 thonë se duhet të dilet për të votuar sepse është obligim, ndërsa disa të tjerë mendojnë se nuk duhet të dilet.
“Si jo, edhe atë duke vrapuar do të shkoj. Pse mos të shkoj, punë nuk kam. Ajo është puna jonë të shkojmë në zgjedhje”, tha një qytetar.
“Po si jo more, a bohet pa votu”, tha një qytetar tjetër.
“Po, do të dalim”, shtoi një qytetar.
“Ajo është diçka e fshehur, pasi nuk dolëm herën e parë nuk dalim as të dytin”, shtoi një qytetar tjetër.
“Jo bre çfarë zgjedhje, kanë ki me zgjedh”, u shpreh një qytetar.
E nga ana tjetër, analisti, Arben Ratkoceri thotë se duhet të dilet në këto zgjedhje sepse sipas tij, ekziston konsensus shoqëror por edhe politik. Ai shton se Maqedonia është futur në proces integrues dhe se këto zgjedhje janë të rëndësishme për vazhdimin e rrugës integruese.
“Mendoj që duhet të dilet, për shkak se kemi edhe një konsensus flas shoqëror po ndoshta edhe politik nga subjektet kryesore shqiptare. Ata që na përfaqësojnë, që apelohet që të dilet në votime edhe atë në numër sa më të madh për shkak të cenzusit. Maqedonia është futur në një proces kryesisht integrues pas përmbylljes së problemeve politike me Greqinë, Bullgarinë dhe problemeve tjera. Këto zgjedhje shihen si vazhdim i rrugës së përfundimit të suksesshëm të procesit euro-integrues”, deklaroi analisti Arben Ratkoceri.
Sot është dita e fundit e fushatës zgjedhore dhe nga mesnata fillon heshtja zgjedhore. Ndërsa, nëse në zgjedhjet e së dielës, nuk arrihet censusi prej 40%, sipas Kushtetutës detyrën e presidentit e ushtron kryeparlamentari. Të gjitha partitë politike gjatë ditës kanë bërë ftesë dhe kanë apeluar që të dielën të gjithë qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës.
Përgatiti: Mevludin Imeri
