Atmosferë e tensionuar në hyrje të Poliklinikës në Çair, ku gjendet pika e vaksinimit. Shtyrje, zënka e sharje mes qytetarëve se kush e ka rendin për t’u vaksinuar. Policia mundohej që të mbajë rend.
“Mbaj rend ku je. Ju jeni i pari, i dyti, i treti, i katërti. Do të hyni me rend. Kot është prej aty po vinë këtu dhe hynë pa rend”.
Disa kërkonin që të respektohet termini që e kanë për t’u vaksinuar. Kishte edhe nga ata që po prisnin tashmë 3 orë.
“Gruaja ka termin prej orës 10 nuk mundet të hyjë. Është puna e tyre që të vendosin rend. Unë atij po i them, jo juve. Po nuk ka rend. Çfarë rendi kërkon ti? Ke termin dhe nuk mund të hysh”.
67-vjeçari Isni Vila thotë se ka vendosur të vaksinohet për shkak të frikës, por edhe masave të reja shtrënguese.
“Ka dy orë që jam këtu. Rend nuk ka. Asgjë s’ka. Populli është çoroditur. Pse keni vendosur të vaksinoheni? Ku e di! Pak edhe frika pak edhe masat. Për këtë vendosëm që të vaksinohemi”.
Një burrë e grua thonë se kanë 3 ditë me radhë që po vinë për të marrë dozën e dytë të vaksinës, por prej tollovisë së madhe nuk po mund të vaksinohen.
“Nuk ka rend. Nuk duhet që të jeni kështu troç. Unë po iki por ku të shkoj. Më së paku po pres 45 minuta, por ne vijmë 3 ditë. Duhej më 10 gusht të vaksinohemi, 11, sot jemi i 12-ti. Nuk mundem çfarë të bëj, të shtyhem?!“
Disa prej qytetarëve në moshë më të shtyrë, e kishin të vështirë të prisnin për shkak të të nxehtit.
“Ka një orë që presim. Na thanë të marrim vaksina “Merrni vaksina, merrni vaksina”, e tash po presim. Edhe pse e kam terminin ai nuk vlen. Pastaj vjen korona, epo vjen korona. Ja si është. Pa distancë”.
Ministria e Shëndetësisë njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë vaksinuar 16.020 qytetarë. Të dhënat e tyre të fundit tregojnë se në vend janë aplikuar gjithsej 1.016.700 doza të vaksinave, ndërkaq janë rivaksinuar 454.788 qytetarë.
