Shtyhet për më 25 dhjetor seanca për rastin “Alfa”! Mbrojtja mbetet e dëshpëruar, presin zgjidhje pozitive në fund

TË FUNDIT

Ndonëse për sot ishte paraparë të merret vendimi nëse do të shkojë apo jo në rigjykim rasti “Alfa”, kjo seancë u shty për më 25 dhjetor. Arsyeja për këtë ishte mungesa për arsye shëndetësore e gjykatëses Anita Boshkovska. Në seancë mungoi gjithashtu edhe prokurori i cili përfaqëson akuzën, Boban Llazarevski. Trupi gjykues duhet të vendosë për ankesën e mbrojtjes të cilën pohojnë se i akuzuari Almir Dërplanin është i pafajshëm.

Asmir Alispahiç, avokati i të dënuarit Almir Dprlanin, thotë se të gjitha dëshmitë flasin se Dërplanin, Islami dhe madje i ndjeri Rexhail Qerimi, nuk e kanë kryer veprën për të cilën ngarkohen. Për këtë shkak, Alispahiç shpreson që kjo betejë shumëvjeçare do të përfundojë me zgjidhje pozitive.


“Përpos zgjidhje pozitive nuk shoh asgjë tjetër. Jo vetëm për të akuzuarin Dërpljanin por edhe Agim Islamin. Këtë e flasin dëshmitë të cilat janë dorëzuar për të akuzuarin e dytë Agim Islamin, si dhe mospasja e dëshmive për involvim direkt të të ndjerit Rexhail Qerimi dhe Almir Dërplanin. Për Agimin nuk dua të hy të flas sepse ekspertiza tregon se këta tre të akuzuar nuk janë kryerës të asaj vepre që zgjatë tanimë 15 vite”, theksoi Asmir Alispahiç, avokat.

Ramiz Dauti, ish i burgosur poashtu për rastin “Alfa” u dëshpërua kur kuptoi shtyrjen e seancës. Sipas tij, kjo ditë e madhe për të u kthye në ditë e vogël.


“Prapë jam pesimist në aspektin e asaj që një ditë para seancës, ndryshohet për arsye s’di çfarë një gjykatëse, dhe duhet një muaj të presim. Duke patur parasysh se ne kemi dorëzuar një superekspertizë tanimë 21 muaj. Gjykata Apelit e vonoi 16 muaj, Gjykata Supreme tani pesë muaj e vonoi të njëjtën e zvarriti lëndën për Almirin, kështu që se di, nuk kam koment. Unë e kam pritë si ditë të madhe por në fakt doli një ditë e vogël si 15 vite me radhë që ka qenë e njëjta”, tha Ramiz Dauti, ish i akuzuar në rastin “Alfa”.

Trupi i ri gjykues për këtë lëndë përbëhet me në krye gjykatësin Xhemali Saiti, gjykatësit Shpend Devaja, Elica Krstevska, Anita Boshkovska dhe Mirjana Llazarevska. Muaj më parë Këshilli Gjyqësor konstatoi vonesa në rastin “Alfa” me çka u shqiptuan masa disiplinore për gjykatësit që zvarritën lëndën. Përndryshe më datën 26 të këtij muajin mbushen plot 15 vite nga vrasja në fakultetin matematiko natyror në Shkup, e për këtë vrasje me burg të përjetshëm u dënuan Agim Islami, Almir Dërplanin si dhe Rexhail Qerimi. Ky i fundit vdiq në burg duke pritur drejtësinë.