Shtyhet koha e ardhjes së Delegacionit të UNESCO-s në Maqedoninë e Veriut, për të diskutuar vërejtjet e ngritura ndaj ndërhyrjeve infrastrukturore të Korridorit 8 në zonën e mbrojtur kulturore dhe natyrore. Ndonëse fillimisht u paralajmërua se përfaqësuesit e UNESCO-s nga do të vijnë mesi i muajit maj, sot Ministri i Transportit Aleksandar Nikollovski tha se me kërkesë të tyre mund të vijnë nga mesi i qershorit.
“Sfidën që e kemi me UNESCO-n dua të jem i qartë, nuk është vënë në pikëpyetje nëse deri në Strugë apo Qafë Thanë do të kemi zgjidhje autostrade, por çështja është nga cila trase do të lëvizmi dhe këtë do ta diskutojmë sot me përfaqësuesit e BE-së dhe gjatë vizitës së delegacionit të UNESCO-s që kanë dhënë dy data në fund të majit apo në mes të qershorit dhe bashkërisht do të gjejmë këtu zgjidhje”, tha Aleksandar Nikollovski, ministër i Transportit.
Nga Zyra e BE-së në Shkup përmendin Deklaratën e Tiranës së firmosur me 18 shkurt 2026 ku vendet që përfshihen në këtë korridor treguan gatishmëri të zbatimit të projektit. Zv/Ambasadori Ben Nupnau tha se përveç aspektit ushtarak ky korridor përdoret edhe për lehtësim të tregtisë dhe lëvizjes së qytetarëve.
“Më duhet ta them rëndësinë strategjike të Korridorit 8 sepse prej tij do të kenë dobi sikurse qytetarët ashtu edhe shtetet që janë pjesë e këtij korridori. Së pari, në kushte të krizës gjeopolitike që e kemi sot do ta theksoj aspektin e sigurisë sepse përmes këtij korridori do të kemi lidhje të dy deteve që do të lehtësoj trafikun, përkatësisht do të rrisë mobilitetin ushtarak ndërmjet këtyre vendeve që paraqet komponentë të rëndësishme të sigurisë të vendeve anëtare të NATO-s qo do të rrisë sigurinë e tërë Kontinentit të Evropës”, u shpreh Ben Nupnau, zëvendës ambasador i BE-së në RMV.
Aktualisht konzorciumi “Bektel&Enka” po vazhdon punimet në segmentet Tetovë-Gostivar dhe Gostivar-Bukojçan. Po punohet edhe në Autostradën Kërçovë-Ohër, ndërsa në fazën e përzgjedhjes së ndërtuesit është segmenti Bukojçan-Kërçovë. Në fund mbetet për tu diskutuar edhe segmenti Trebenishtë-Qafë Thanë.
Nga Ministria e Transportit thonë se segmentet tjera po ecin mirë duke përmendur rikonstruimin e vendkalimit kufitar Deve Bair dhe lëshimin në funksion të qarkores së Kriva Pallankës, prej ku punimet janë nga fundi në magjistralen drejt Stracinit, ndërsa për vitin e ardhshëm pritet të nisin punimet edhe për magjistralen Stracin-Kumanovë. Nga kufiri me Bullgarinë deri në kufirin me Shqipërinë traseja e Korridorit 8 do të jetë me autostradë e magjistrale, ku edhe po rikonstruohet pika kufitare Qafë Thanë.
