Shtyhet gjykimi, Boshkoski kërkon rastin „Rover“ ta marrë Prokurorja Speciale

TË FUNDIT

“Katica Janeva do të ngrejë çështje edhe kundër Ilija Trpkovit dhe organizatës së tij. Nuk u jap legjitimitet, ju më së paku jeni gjykatës,  ju jeni vrasës dhe do të largohem nga salla e gjyqit”, u shpreh i revoltuar Lube Boshkoski, ish-ministrit të brendshëm, para se të vendoset shtyrja e procesit gjyqësor kundër tij dhe disa personave të tjerë lidhur me rastin e njohur “Rover”.  Boshkovski pasi që reagoi në këtë mënyrë, u largua vullnetarisht nga salla e gjyqit.

Një atmosferë e lodhshme dhe tensionuar ka mbretëruar gjatë tërë procesit gjyqësor.  Avokati i Boshkovskit, Konstantin Kratovaliev vërtetoi akuzat e klientit të tij se ka dyshime se ekzistojnë biseda të regjistruara nga përgjimet për rastin “Rover”. “Propozuam të ndërpritet procesi,  për arsye se kemi informata të besueshme për dyshime të arsyeshme për ekzistimin e të dhënave, regjistrimeve dhe transkriptove që lidhen me rastin “Rover”. Të gjitha këto i janë dorëzuar Prokurores Speciale. Duke pasur parasysh parimet e efikasitetit të procedurës dhe parimet e gjykimit të drejtë propozuam që kjo ndërprerje të merret parasysh nga gjyqi, që të mos vijmë eventualisht në një situatë absurde, e kjo në rast të procesuimit nga ana e prokurorit special do të ishte që për të njëjtën lëndë të zhvillohen dy procese paralele“, tha avokati Kratovaliev.

Kratovaliev pretendon se ka informata se deri tek prokurorja speciale janë dorëzuar 18 transkripte me më shumë se një orë biseda lidhur me rastin “Rover”. Sipas tij , në bisedat e përgjuara janë  pjesëmarrës disa persona dhe se kjo në masë të madhe ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e procedurave gjyqësore.

Nga ana tjetër, Gjykatësi i çështjes, Ilija Trpkov tha se nuk dihet nëse këtë çështje do ta marr përsipër Prokurorja speciale. Ai tha se deri atëherë për këtë rast do të veprojë sipas ligjit.

Nga seanca e sotme vullnetarisht u largua edhe i gjykuari Zoran Trajkovski, i cili theksoi për TV21 se ndjenë zemërim të madh për këtë rast.”Në rast se do të rrija brenda mund të ndodhte gjithçka. Këto ditë kam vizituar një psikiatër dhe gjithçka që duhej ta thoja sot, e kam thënë atje. Thjesht, unë nuk mund ta shoh vrasësin tim dhe vrasësin e familjes time, dhe më gjykojnë për një vepër penale, për të cilën Gjykata e Apeloit ka thënë se akuza nuk mban.  Për këtë nuk ka asnjë provë dhe asnjë paramendim tek të dyshuarit“, tha Trajkovski.

Sipas aktgjykimit të shkallës  së parë, 8  të pandehur janë të dënuar 68 vite burg, ndërsa 3 janë të dënuar me burg të përjetshëm. Nëse Lube Boshkovski nuk do të dënohet për këtë rast, atëherë ai duhet të dal nga burgu në qershor të vitit të ardhshëm, kur i mbaron vuajtja e dënimit për rastin “Fushata”.  Për këtë të fundit, ai u dënua për financim të paligjshëm të fushatës së zgjedhjeve presidenciale të vitit  2011.