Shtrenjtimi i produkteve ushqimore! Bexheti: Alarmi është real, më shumë mund të goditen familjet sociale

TË FUNDIT

Alarmi i Odave ekonomike për shtrenjtimin e produkteve ushqimore deri në 50% është real thotë akademiku Abdulmenaf Bexheti në një intervistë për REL. Gruri, buka, qumështi, vaji dhe disa produkte tjera ushqimore mund të shtrenjtohen, për shkak, siç thotë Bexheti, inflacionit që deri në fund të vitit mund të arrij deri në 5%, të llogaritur sipas indeksit të çmimeve me pakicë.

Ndoshta ky vit do të mbarojë me inflacion prej 4,5-5%, sipas indeksit të çmimeve me pakicë, dhe mendoj se ky është sinjal serioz se duhet të veprohet me shumë kujdes, të dizajnohen politikat, për shkak se kjo ndikon drejtpërsëdrejti në shportën e konsumatorëve, e cila kryesisht përbëhet nga produkte ushqimore, ndërsa kjo është diçka standarde në vendet në zhvillim. Zakonisht produktet ushqimore në atë shportë marrin pjesë deri në 40%. Kjo gjithsesi mund t’i godisë produktet themelore ushqimore duke filluar nga gruri, buka, qumështi, vaji etj. Familjet që janë me rrezik social do të jenë në gjendje shumë të vështirë”, vlerëson Bexheti.

Tashmë po vërehet rritja e çmimit të energjisë elektrike në tregjet ndërkombëtare, ndërsa dihet se Maqedoninë e Veriut varet nga importi. Por si do të reflektoj kjo në vendin tonë?

“Bilanci energjetik i Maqedonisë rreth 80% varet prej termoelektranet, ndërsa 20% nga hidroelektranet. Për momentin rezervat e ujit dhe potencialët ndoshta janë në nivel më të ulët historik dhe kjo sipas të gjitha gjasave do të na godisë shumë. Nga ana tjetër, me liberalizimin e tregut energjetik, shumë kompani që hynë në mënyrë liberale për të blerë energji elektrike kanë lidhur marrëveshje të cilat dorëzuesit e energjisë elektrike nuk do të munden t’i realizojnë dhe në atë pjesë do të ketë rritje të çmimit prej 40 deri në 50% të produkteve të dorëzuara nga bilanci energjetik. Kjo do ta komplikojë gjendjen dhe do të kërkohen zgjidhje alternative dhe në periudhë prej 3 deri në 6 muaj do të përforcohet ky kapacitet”, shton më tej Bexheti.

Bexheti shton se Qeveria duhet seriozisht ta përcjellë bilancin energjetik dhe të gjejë mënyrë se si ta kontrollojë atë. E para disa ditëve kryeministri Zaev paralajmëroi se do të rritet prodhimi vendor i energjisë elektrike, duke aktivizuar edhe bllokun e tretë të TEC Manastir, cili tani punon me dy blloqe. Ndryshe pas rritjes së çmimeve të lëndëve të para në nivel botëror, Oda Ekonomike ka paralajmëruar se nëse nuk ndërmerren masa mund të vijë deri te goditje serioze e çmimeve të ushqimit të cilat deri në fund të vitit mund të rriten deri në 50%. Kjo mund të ndikojë mbi spiralen e inflacionit, e me këtë edhe mbi buxhetin e qytetarëve.