Një kg sheqer 53 denarë, një litër qumësht 52 denarë, një litër vaj 100 denarë. Këto janë disa nga çmimet e disa produkteve bazë ushqimore në një market të Shkupit. Qytetarët ankohen për rritjen e çmimit të produkteve ushqimore, ndërsa nga qeveria mohojnë se produktet bazë janë shtrenjtuar.
“Por, janë tejet të larta. Duhet të ketë ngrirje, por edhe rritje të rrogave.”
-A ju mjafton rroga?
“Jo.”
“Po, janë tejet të larta, duhet të ulen pak. Pensionin ma kanë rritur për 130 denarë.”
“Duhet të ndërmerret diçka. Sipas meje, çmimet janë tejet të larta duke pasur parasysh standardin e ulët të qytetarëve “
-A mund të blini kaq produkte për shumën e njëjtë parash siç keni blerë vitin e kaluar?
“Produktet janë më të shtrenjta dhe nuk e di si ia dalin ata që kanë pensione të ulëta“
Në pyetjen se si Qeveria do t’i mbrojë qytetarët nga këto rritje çmimesh, Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi thotë se çmimet janë rritur maksimum deri në 5%.
“Kur përmendim numra, ato numra duhet të jenë të vërtetuara mbi baza të ndonjë analize dhe të dhëna të caktuara të cilat kanë dalë në publik, në aspekt të të numrave që kanë dal nga ana e Entit për statistika, e cila është më kompetentja të publikoj shifra, për të cilat ju thoni së janë 30 deri 50%, nuk shoh ndonjë rritje në përputhje me të dhënat e tyre, janë nga 5% më së shumti deri 10%“, tha Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.
Bekteshi siguron se nuk do të ketë shtrenjtim deri më 31 janar, deri kur edhe është paraparë të zgjasë masa e ngrirjes.
“Unë kam thënë se, në produkte të caktuara ku do të publikohen të dhëna se ka rritje, jo në 5 ose 10, por në 3%, krahasuar me muajin paraprak menjëherë si Ministri e Ekonomisë do t’i propozojmë qeverisë për atë produkt të caktuar, që çmimi të i ngrihet dhe të jetë sipas çmimit më 1 dhjetor , kjo është masë e përkohshme deri më 31 janar“, pohoi Kreshnik Bekteshi, ministër i Ekonomisë.
Në lidhje me ankesat për rritjen e çmimeve nga Qeveria për TV21 thonë:
“Në ekonominë e tregut, qeveria nuk i cakton çmimet e produkteve në tregti, por është politikë e secilit tregtar individualisht. Ajo që mund të bëjë dhe e ka bërë qeveria është të vendosë çmimet më të larta për produkte të caktuara në tregtinë me shumicë dhe pakicë të disa produkteve ushqimore bazë”, thonë nga Qeveria.
Pyetëm edhe në Inspektoratin e tregut a ka pasur ankesa nga ana e qytetarëve, prej atje thanë se ka pasur disa paraqitje, por të njëjtat nuk janë vërtetuar në terren.
