Shtëpia e Bardhë nominoi ambasadorë për në Bosnje, Serbi dhe Mal të Zi, duhet të konfirmohen nga Senati amerikan

TË FUNDIT

Shtëpia e Bardhë njoftoi se për Bosnje e Hercegovinën është nominuar Ronald Johnson nga shteti i Masaçusetsit për postin e ambasadorit të jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të SHBA-së. Johnson është gjeneral brigade në pension në Korpusin e Marinsave të SHBA-së. Për Serbinë është nominuar Michael Young nga shteti i Uhtas.

Ndërsa për Malin e Zi është nominuar Peter McCoy nga Karolina e Jugut. McCoy, gjatë karrierës së tij juridike shërbeu si prokuror shtetëror për Distriktin e Karolinës së Jugut nga viti 2020 deri më 2021, ndërsa më herët kishte punuar si prokuror penal.

Më herët, SHBA-ja ka nominuar edhe ambasadorin e saj për Shqipërinë.

Ndërkaq sa i përket Kosovës, Uashingtoni ende nuk ka ndonjë njoftim, teksa Ambasada amerikane në Prishtinë aktualisht udhëhiqet nga e ngarkuara me punë, Anu Prattipati, pasi ambasadori paraprak, Jeffrey Hovenier, përfundoi mandatin e tij trevjeçar në fund të dhjetorit të vitit 2024.

Ndërkaq, sipas njoftimit të sotëm, SHBA-ja ka nominuar edhe ambasadorë për në El Salvador, Azerbajxhan, Mbretërinë e Kamboxhias, Guinenë Ekuatoriale, Moldavi, Indonezi, Bullgari, Republikën e Trinidad dhe Tobagos, Paraguai, Kolumbi, Lituani, Egjipt, Brazil, Ekuador, Gambi, Sierra Leone dhe Kenia.

Procedura e nominimit të ambasadorëve të SHBA-së bazohet në parimin kushtetues të “këshillimit dhe pëlqimit” të Senatit.

Presidenti së pari nominoi kandidatin për ambasador, i cili mund të jetë diplomat karriere ose person i emëruar politikisht. Më pas, nominimi dërgohet në Komitetin e Senatit për Punë të Jashtme, i cili e shqyrton kandidimin.

Vetëm pasi Senati ta konfirmojë kandidatin me shumicë votash, presidenti amerikan e emëron zyrtarisht ambasadorin.

Ambasadori i ri më pas shkon në vendin pritës dhe dorëzon letrat kredenciale te kreu i shtetit, duke e marrë zyrtarisht detyrën.