Shtëpia e Bardhë e zhgënjyer që presidenti palestinez Abas nuk ka besim në SHBA-në

TË FUNDIT

Shtëpia e Bardhë e kritikoi presidentin palestinez Mahmud Abas, pasi ai publikisht kundërshtoi përpjekjet amerikane për të kontribuar në zgjidhjen e konfliktit me Izraelin dhe paralajmëroi se Rusia duhet të luajë rol më të madh në ndërmjetësim.

Këtë deklaratë Abas e bëri para takimit me presidentin rus Vlladimir Putin në Astana, në një samit rajonal.

Deklarata e mbrëmshme e zëdhënësit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA duket se ishte përgjigja e parë e administratës amerikane ndaj kritikave palestineze në rritje se nuk është bërë mjaftueshëm për të ndalur operacionet ushtarake izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar.

“Ne nuk i besojmë Amerikës dhe ju e dini pozicionin tonë. Ne nuk i besojmë, nuk mbështetemi në të dhe në asnjë rrethanë nuk do të biem dakord që Amerika të jetë e vetmja palë në zgjidhjen e problemit”, deklaroi Abas të enjten në kryeqytetin e Kazakistanit.

Shtëpia e Bardhë reagoi në më pak se 48 orë dhe deklaratë nga zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare shprehu “zhgënjim të thellë” në deklaratën e Abasit, njoftuan mediat izraelite.

“Putini është larg nga lloji i partnerit që nevojitet për t’u marrë në mënyrë konstruktive me konfliktin izraelito-palestinez”, thuhet në kumtesë.