Siguria kibernetike, Maqedonia në vendin e 30-të në mesin e 155 shteteve

TË FUNDIT

Maqedonia është ngjitur për 29 vende në Indeksin Kombëtar të Sigurisë Kibernetike dhe tani renditet në vendin e 30-të mes 155 shteteve dhe territoreve, përcjell TV21. Me 84,17 pikë nga 100 të mundshme, vendi është renditur ndër shtetet me gatishmëri të lartë për përballimin e kërcënimeve kibernetike.

Vlerësime maksimale janë marrë për politikat e sigurisë kibernetike, mbrojtjen e infrastrukturës kritike, të dhënave personale dhe reagimin ndaj incidenteve kibernetike. Nga Ministria e Transformimit Digjital thonë se përparimi është rezultat i reformave të zbatuara dhe kornizës së re ligjore.

Ministri Stefan Andonovski vlerësoi se rezultati është një konfirmim ndërkombëtar për rezultatet konkrete dhe të matshme të reformave. Ministria paralajmëron vazhdimin e aktiviteteve për forcimin e qëndrueshmërisë kombëtare ndaj kërcënimeve kibernetike.