Shtëpi, dyqane e makina të përmbytura! Tetovarët në panik sa herë që ka të reshura intensive

TË FUNDIT

Oborre të mbushura me ujë. Shtëpi e dyqane të përmbytura si dhe vetura të ngecura në nënkalime.

Këto janë disa prej dëmeve që shkaktuan të reshurat e mbrëmshme në rajonin e Tetovës.

Televizioni 21 gjatë natës ishte në disa vende ku banorët mundoheshin të parandalojnë ujin që t’u futet  nëpër shtëpi. Thonë se sa herë ka shi, situata është e njëjtë, ndërsa vetë janë duke u përballur me pasojat ndaj të reshurave.

“Ky problem është në pesë vitet e fundit, shkoj në komunë tek Luli, ai më thotë se do bëjnë një baj pas, dje kam qenë, sot kam qenë nuk është këtu nuk është atje.”

“Këta i përgatisim më parë që mos na hyjë në shtëpia, se po të mos bëhen këto përgatitje, hyn në shtëpi, masa nuk merr askush, Besar Durmishin e kam lajmëruar, as SMS s’më ka kthyer, asgjë.”

“Është problem i vjetër, sa herë që ka të reshura, hyn në shtëpi, hyn në oborr, kemi rrezik për fëmijët, kopshte e bodrumet.”

Nga NPK “Tetova” thonë se kanë intervenuar në disa pjesë të qytetit. Sipas Lulzim Shaqirit puna e tyre është të pastrojnë, ndërsa komuna duhet me projekte t’i mënjanojë problemet.

“Ne pas investimeve, pra ndërmarrja e ka obligim pas investimeve – mirëmbajtjen, që nënkupton nëse ka zënie, ne tentojmë të bëjmë pastrim, që nënkupton pas këtyre situatave të intervenojmë me mundësitë tona me edhe kapacitete tona”, tha Lulzim Sahqiri nga NPK Tetova.

Nga Komuna e Tetovës në Facebook kanë shkruar se “nëpërmjet Shtabit të Krizës do të kërkojmë sanimin dhe mbulimin e dëmeve eventuale duke qenë pranë qytetarëve në çdo kohë dhe në çdo moment”.

Rikujtojmë se edhe muaj më parë, të reshurat intensive shkaktuan dëme në shtëpi, ndërsa nga komuna e Tetovës thanë se qytetarët do të dëmshpërblehen, por kryetari Bilall Kasami kërkoi përkrahjen e Qeverisë për të dëmshpërblyer, ndërsa që atëherë e deri më tani qytetarët që kanë paraqitur dëme, nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim.