Me protokolle të veçanta për mbrojtje nga Kovid-19, gjykatësja Vaska Nikolloska Masevska, solli aktvendim për rastin “Reket”. Dënim prej nëntë vjet burg për Bojan Jovanovskin, për dy vepra penale, dhe shtatë vjet burg për ish-prokuroren speciale, Katica Janeva.
“Për dy veprat penale të përmendura, i akuzuari Bojan Jovanovski, dënohet me dënim me burg prej 9 viteve. Gjykata, prokuroren Katica Janeva, për veprën penale keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve sipas nenit 353, paragrafi 3, në lidhje me paragrafin 1 të KP, me të cilin është paraparë dënim minimal me burg prej 3 viteve, në përputhje me nenin e përmendur si dhe nenet 4, 7, 29, 31, 32, 33, 39 të KP, e dënon me dënim me burg prej 7 vjetëve,” tha Vaska Nikolloska Masevska, gjykatëse.
“Unë këtë ditë do ta shpalli si ditë e fushatës politike në Maqedoni. Keni sjellë aktvendim politik, paratë për zhvatje të kësaj Maqedonie kërkoni te Zoran Zaevi dhe Vice Zaev, e jo te Bojan Jovanovski,” tha Bojan Jovanovski, i dënuar.
Janeva nuk erdhi që ta dëgjojë aktvendimin. E ka informuar gjykatën se nuk mund të marrë pjesë në seancë për shkaqe shëndetësore dhe familjare.
Mbrojtja nuk është e kënaqur nga aktvendimi.
“Aktvendimi i sotëm ishte i pritshëm, ne që në fillim të këtij procesi gjyqësor e dinim se do të sillet aktvendim i tillë brutal. Ky aktvendim më së paku bazohet në prova, në fakt nuk ka prova,” tha Sashko Dukovski, avokat i Boki 13.
“Ne jemi të dëshpëruar si mbrojtje e Katica Janevës nga aktvendimi dhe dënimet që i dëgjuam. Së pari vlerësojmë se dënimi për Janevën është absolutisht shumë i lartë,” tha Irena Frçkovska, avokate e Janevës.
Jovanovski përmes incizimeve private të biznesmenit Orce Kamçev, i akuzuar i parë në hetimin e madh “Perandoria”, u denoncua nga Kamçev se tre herë i ka marrë gjithsej 1.5 milion euro që t’i ndihmojë përmes Janevës që të shpëtojë nga burgu. Paratë nuk janë gjetur.
Janeva është dënuar se ka pranuar mobile të shtrenjta dhe 50 mijë euro që t’ia lehtësojë pozitën Kamçevit në hetim. As këto para nuk janë gjetur. Kamçevin nga paraburgimi e liroi Gjykata Supreme, ndërsa Janeva kundërshtonte.
Hetimi “Perandoria” nuk është mbyllur.
“Në hetim është punuar në mënyrë intensive nga ana e dy kolegeve. Tani na bllokoi korona virusi, ende nuk punojmë me palë, vetëm me personat zyrtarë që mund të jenë në hapësirat e Prokurorisë. Kështu që nuk e di edhe sa do ju duhet që të deri te përfundimi i hetimit. Para se të kap korona dhe gjithë këto masa, dy koleget punonin në mënyrë intensive në hetimin,” tha Villma Ruskoska, prokurore në “Reket”.
Ruskoska gjithashtu kërkoi që Janeva të kthehet në paraburgim për shkak të para-hetimit të filluar për keqpërdorim të postit zyrtar, por Gjykata e refuzoi këtë kërkesë.
Të akuzuarit kanë të drejtë për të ankimuar vendimin në gjykatë më të lartë, Gjykatën e Apelit.
Në fillim të lëndës, i akuzuar ishte edhe Zoran Millevski Kiçeec, i cili e pranoi fajin dhe u dënua me tre vjet dënim me burg.
Në seancë ishte e pranishme edhe Ana Kamçeva, bashkëshortja e Orce Kamçevit, i cili është parashtrues i denoncimit për zhvatje, ndërsa të dy ishin dëshmitarë në këtë lëndë.
