Shtatë ditë nga tragjedia! Zjarri nxori në pah një sistem “të shkrumbuar”

TË FUNDIT

Kjo shfaqje e grupit “DNK” u kthye në një nga tragjeditë më të mëdha në historinë më të re të vendit.
Të dielën në mëngjes Maqedonia u trondit nga lajmi tronditës – mbi 50 të rinj vdiqën. Marija e re ishte në mesin e atyre që shpëtuan dhe po priste informacione për motrën e saj.

“Të gjithë filluan të vrapojnë, të gjithë po përpiqeshin të shpëtonin jetën e tyre dhe askush nuk ishte në dijeni… trupat e djegur”, tha Marija Taseva

Pak orë më vonë, Marija dëgjoi lajmin e hidhur se motra e saj nuk ishte më në mesin e të gjallëve. Por 59 familje të tjera humbën nga një të dashur.

“21 vjeç… duhej të fillonte të jetonte”, u shpreh babai i të vdekurit.

Të tjerët ndiheshin fatlumë që fëmijët e tyre ishin gjallë.

“Këtu në rrugën më poshtë, shoh rroba, çanta vajzash… kështu që pamja është më se e tmerrshme”, u shpreh babai i të mbijetuarit .

Ministri Pançe Toshkovski ishte i pari që foli publikisht për ngjarjen e tmerrshme.

“Sipas informacioneve fillestare që kemi, zjarri ka nisur si pasojë e shkëndijave të mjeteve piroteknike”, deklaroi Toshkovski.

Menjëherë u mobilizua sistemi shëndetësor… Në spitalet e Shtipit dhe të Shkupit pranoheshin pacientë, nga ku mbi 115 kishin përfunduar në klinikat jashtë vendit.

“Ne do të marrim një mësim jete! Nuk mund ta kuptoj se si mund të ndodhë kjo”, u shpreh Siljanovska.

Kryeministri bëri të ditur se nuk do të kursehet askush, pasi u bë e qartë se diskoteka ka funksionuar pa licencë dhe pa respektuar asnjë standard.

“Kjo është, do të thosha, një vrasje masive që dikush e lejoi të ndodhte për para, për ryshfet, për korrupsion”, deklaroi Mickoski.

Prokuroria u mobilizua.

“Objekti nuk kishte rrjet hidranti, as nuk kishte hidrant në përdorim, nuk kishte një numër të mjaftueshëm të aparateve kundër zjarrit duke pasur parasysh përmasat e objektit, pra ishin vetëm dy. Nuk kishte dy dyer për dalje”, tha Kocevski .

Revoltën banorët e Koçanit e drejtuan ndaj pronarit të klubit, të cilit ia demoluan kafenenë, e nuk u kursye as ndërtesa e komunës.

Ndërkohë hetimet janë zgjeruar. Të dyshuar janë 34 persona, shumica në paraburgim, mes të cilëve ish-ministri Kreshnik Bekteshi, ish-sekretarja shtetërore Razmena Çekic Duroviq, ish-drejtori i Inspektoratit të Tregut Goran Trajkovski dhe një numër i madh personash nga institucionet që në mënyrë indirekte kanë lidhje me mundësimin e funksionimit të klubit.

“Ndaj punonjësit të Ministrisë së Ekonomisë është ngritur procedurë për pranim të ryshfetit”, tha Kocevski.

Nuk u kursyen as policët nga Koçani dhe Shtipi.

  • Jeni ish-punonjës i Ministrisë së Brendshme?
  • Unë jam punonjës aktual.
  • Ndiheni fajtor?
  • Jo…

Derisa autoritetet përcaktojnë se kush është përgjegjës, një nga varrimet më masive në vend u mbajt në Koçan.

Megjithatë, beteja për të shpëtuar jetë vazhdon.

“Pesë nga gjithsej 115 pacientë do të kthehen javën e ardhshme, do të pranohen në klinika… në tre spitalet e Shkupit prej nga janë dërguar dhe pas triazhit do të përcaktohet nëse do të kenë nevojë të qëndrojnë në spital apo do t’i lëshojmë menjëherë të shkojnë në shtëpi”, u shpreh Taravari.

Koçani mbetet i mbështjellë në zi shtatë ditë pas tragjedisë.