Shtabi zgjedhor i Presidentit amerikan, Donald Tramp kumtoi se po distancohet nga Sidni Pauel, avokatja e cila javën e kaluar në emër të ekipit të tij deklaroi se disa milionë vota ishin vjedhur gjatë zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.
“Sidni Pauel është duke e zbatuar ligjin në dorën e saj. Ajo nuk është anëtare e ekipit ligjor të Trampit. Gjithashtu ajo nuk është avokate e Trampit në emër të tij” thanë përfaqësuesit ligjorë të Trampit, Rudi Xhuliani dhe Xhena Elis në një deklaratë të përbashkët, të transmetuar nga mediat britanike.
Deklarata e Xhuliani dhe Elis vjen një ditë pasi gjykata federale e Pensilvanisë e hodhi poshtë kërkesën e ekipit të Trampit për kontestimin e fitores së kandidatit demokrat për president, Xhozef Bajden.
Pauel, javën e kaluar, pa paraqitur ndonjë provë, tha se janë vjedhur disa milionë vota nga sistemi elektronik i votimit për kandidatin republikan Tramp.
“Gjithçka u organizua dhe zbatua me ndihmën e njerëzve të Luginës së silikonit, kompanive të mëdha të teknologjisë, kompanive të mediave sociale dhe madje edhe kompanive mediatike”, tha Pauel, ish-prokurore federale dhe avokate e ish-këshilltarit për sigurim kombëtar të Trampit, Majkëll Flin.
