Shqyrtohet financimi i Qendrës së re Klinike, nga e hëna nis identifikimi i lokacioneve të mundshme

TË FUNDIT

Përsëri u rikthye ideja për ndërtimin e qendrës së re klinike. Ministri i shëndetësisë Azir Aliu pret që projekti të financohet me paratë për financim të projekteve të cilat Maqedonia i ka në dispozicion përmes marrëveshjes me Britaninë e Madhe që peshon 6 miliardë euro. Sektorit të shëndetësisë i takon një miliard euro. Por ku do të ndërtohet qendra e re klinike, pasi paraprakisht dështuan përpjekjet në Zllokuqan, Gjorçe Petorv, te kazerma Ilinden por edhe në vendin e qendrës aktuale klinike!?

Kohë më parë kryeministri Hristijan Mickoski zbuloi se qendra e re klinike do të ndërtohej në lokacion të ri ndërsa qendra aktuale do të rikonstruktohet. Mickoski pret që qendra e re të kushtojë më pak krahasuar me projektin paraprak i cili pritej të ishte me kosto prej 480 milionë eurove.

Përndryshe, nga mjetet që rrjedhin nga marrëveshja me Britaninë, u paralajmërua ndërtimi i spitalit klinik në Shtip dhe ndërtesë për fakultetin mjekësor dhe konvikt, ndërtim i spitalit në Kërçovë dhe rikonstruktim i spitalit në Tetovë. Këto projekte do të kushtonin rreth 200 milionë euro.