Kryeministri shqiptar Edi Rama, nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social Facebook, ka uruar të dielën Kler Çakun, e cila u shpall kampione evrope në shah për moshat deri 14 vjeç për vajzat.
“URIME KAMPIONE, KLER ÇAKU, 13-vjeçarja shqiptare shpallet KAMPIONE EVROPE në shah, në Kampionatin e Rapidit, në Slloveni, për vajzat deri në moshën 14 vjeç”- shkruan Rama.
Suksesi i shahistes
Kler Çaku u shpall kampione Evrope, duke regjistruar një sukses të madh në shahun shqiptar. Lajmi fillimisht u bë i ditur nga Federata Shqiptare e Shahut përmes një postimi në llogarinë zyrtare në Facebook.
13-vjeçarja ka arritur ta fitojë këtë çmim pas shtatë fitoreve dhe dy barazimeve në Kampionatin e Rapidit, i cili u zhvillua në Slloveni. Kleri arriti të triumfojë përballë vajzave deri në moshën 14-vjeçare.
“SUKSES I MADH I SHAHUT SHQIPTAR!
13-vjeçarja Kler Çaku, me 7 fitore dhe 2 barazime, shpallet KAMPIONE EVROPE, në Kampionatin e Rapidit, që sapo mbaroi në Slloveni, për vajzat deri në moshën 14-vjeçare”, shkruajti FSHSH.
