E derisa Maqedonia e Veriut vazhdon përplasjet e brendshme për rrugën eurointegruese, Shqipëria ka shënuar një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, pas përfundimit të Konferencës së 8-të Ndërqeveritare, ku u vlerësua progresi në reformat kryesore të shtetit të së drejtës dhe drejtësisë.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se bashkëpunimi me institucionet evropiane në fushën e ligjzbatimit është gjithnjë e më i thellë dhe funksional.
Ai theksoi se administrata shqiptare është më e angazhuar në procesin e integrimit dhe se rruga evropiane e Shqipërisë është e pakthyeshme. Nga ana tjetër, Komisionerja Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, vlerësoi progresin e Shqipërisë, duke theksuar se vendi ka përmbushur pika të rëndësishme në reformën e drejtësisë dhe shtetin e së drejtës.
Kos deklaroi se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re të negociatave, ku janë përcaktuar objektiva dhe pAketa të qarta për mbylljen e kapitujve.
Sipas saj, ky progres krijon bazë të fortë për përmbylljen e negociatave në vitet e ardhshme, me synimin e mbylljes së procesit deri në vitin 2027.
“Jemi këtu për të shënuar një hap të madh të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit. Pas Malit të Zi në vitin 2024, Shqipëria është e dyta nga vendet tona kandidate që ka plotësuar piketat e ndërmjetme të shtetit të së drejtës, të caktuara në tetor 2024. Kjo është një arritje për t’u vlerësuar dhe rezultat i një pune të gjatë që nuk realizohet brenda ditës. Kur konfirmojmë këto piketa të ndërmjetme për shtetin e së drejtës, konfirmojmë se puna e bërë vitet e fundit në këtë fushë ka qenë e suksesshme”, deklaroi Marta Kos – komisionere për zgjerim.
“Rrugëtimi ynë evropian është i pakthyeshëm dhe i gjithë ky është themeli për paga më të mira, vende më të mira pune, investime më të mëdha e kështu me radhë. Pa dashur të them më tepër, dua thjesht të falënderoj nga zemra Komisionin Europian, sepse është një kujdestar që na ndihmon në çdo hap të kuptojmë çfarë duhet të bëjmë dhe si ta bëjmë, dhe kjo e bën BE-në bekim për një vend si i yni”, theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
