“Shqipëria nga një epokë në tjetrën” është titulli i ekspozitës të cilën do ta hapin hulumtuesi i fotografisë Loïc Chauvin dhe Christian Raby.Kjo ekspozitë do të hapet më datën 2 maj, ndërsa do të qëndrojë e hapur për një javë.
Imazhe të njerëzve të veshur me veshje tradicionale shqiptare, por edhe të atyre që janë veshur me rroba moderne të kohës, janë ato që shihen në fotografitë e Kristaq Sotirit.
Ai ka dokumentuar ndryshimin rrënjësor të shoqërisë shqiptare nga epoka e Perandorisë Osmane deri në krijimin e shtetit shqiptar. Në vitin 1912, gjatë kohës kur jetonte në Amerikë, do të realizonte autoportret. Me këtë fotografi edhe nis krijimtaria e tij prej fotografi. Më pas vazhdon me portrete të njerëzve të tjerë. Mes tyre është portreti i nënës së tij, ai i këngëtares Tefta Tashko dhe i disa grave të tjera(transmeton Kultplus)
Personazhet e fotografive të tij janë të ndryshme. Ai ka fotografuar një grua myslimane me shami në kokë. Por e ka realizuar edhe portretin e një prostitute. Në fotografitë e tij kanë zënë vend edhe portrete të burrave të ndryshëm.
Chauvin duke qenë hulumtues i fotografisë shqiptare, në vitin 1995 nxori botimin e parë kushtuar dinastisë Marubi me titull “Shqipëria fytyra e Ballkanit”. Ndërsa Raby, në vitin 2006 do t’i bashkohej mikut të tij në aventurën e hulumtimit të fotografisë shqiptare.
Kristaq Sotiri konsiderohet si pjesë e padiskutueshme e familjes së fotografëve të mëdhenj shqiptarë para Luftës së Dytë Botërore. Megjithëse vepra e tij nuk mund të krahasohet për nga kohëzgjatja dhe sasia me atë të dinastisë Marubi, me cilësinë teknike dhe temat e trajtuara, Sotiri është dëshmitar i një ndryshimi rrënjësor të shoqërisë shqiptare nga epoka e Perandorisë Osmane deri në krijimin e shtetit modern shqiptar. Vepra e tij thuhet se dëshmon në mënyrë të qartë të qenët “aktor dhe produkt” i kësaj shoqërie.
