Shqipëria dëboi një spiun iranian i cili si refugjat ishte strehuar në kampin e muxhahedinëve

TË FUNDIT

Një pjesëtar i shërbimit sekret iranian, i cili ishte infiltruar në kampin e muxhahedinëve në Manëz afër Durrësit, është dëbuar nga Shqipëria dhe i është dorëzuar autoriteteve greke, lajmëroi TV Top Çanell.

“Ehsan Bidi (43) në Shqipëri hyri më 16 tetor të vitit 2013 me dokument udhëtimi iranian të dhënë nga MOIS/Vevak së bashku me kontigjentin prej dy mijë muxhahedinëve të cilët nga ‘kampi i lirisë’ nga Iraku u transferuan në kampin afër Tiranës. Ardhja e tij ka pasur për qëllim formimin e qelisë së rrjetit të spiunazhit mes anëtarëve të PMOI/MEK”, (Organizata Popullore Moxhahedine e Iranit)”, thekson televizioni.

Qëllimi i misionit të tij ka qenë “sigurimi i informatave të domosdoshme dhe hapja e rrugës për sulme të ardhshme terroriste”.

Para se të arrinte në Shqipëri me muxhahedinët, ai nga mesi i vitit 2012 u nis për në Turqi e më pas edhe në Egjipt, me dokument të falsifikuar udhëtimi. Para se të arrinte në Shqipëri ai qëndroi edhe në Rumani.

Në vitet e fundit janë shpallur si të padëshiruar dhe janë dëbuar nga Shqipëria rreth 80 të huaj, kryesisht shtetas iranianë, për shkak të aktiviteteve të dyshimta.

Në fund të dhjetorit 2018 u dëbua ambasadori i Republikës islamike të Iranit, Golamhoshein Mohamadina dhe një diplomat tjetër nga ambasada në Tiranë sepse ishin të kyçur “në aktivitete të cilat janë kërcënim për sigurinë e vendit”.

Më 22 korrik të këtij viti u dëbua Daniel Ksra (29) i dyshuar se është agjent i infiltruar nga Ministria iraniane e zbulimit. Sipas raportit të sektorit për antiterrorizëm, ky qytetar është klasifikuar si person i rrezikshëm për sigurinë e Shqipërisë. AI u deportua në Itali.