Shqipëri: Shkurtohet ora policore, hiqet maska në hapësirë të hapur

TË FUNDIT

Në Shqipëri nga 1 qershori hiqet mbajtja e detyrueshme e maskës së fytyrës në hapësirë të hapur, ndërsa ora policore të shkurtohet për një orë dhe do të zgjasë nga ora 23:00 deri në orën 6:00.

Këto janë disa nga masat që sot i kumtoi komiteti teknik i ekspertëve për ballafaqimin me pandeminë, pas analizës së bërë të situatës epidemiologjike.

“Komiteti konsideron se ka vend për lehtësimin e masave, duke filluar nga 1 qershori për heqjen e detyrimit për të mbajtur mbrojtje personale në fytyrë, por mbetet e detyrueshme në hapësirë të mbyllur dhe në transportin publik. Ora policore në vend në orën 22:00 do të fillojë në orën 23:00 dhe do të zgjasë deri në orën 6, siç ka qenë deri më tani, tha Mira Rakacoli, kryetare e komitetit dhe zëvendësministre e shëndetësisë.

Sipas vendimit, klubet e natës dhe diskotekat mbeten të mbyllura edhe më tej, ndërsa nga 15 qershori do të lejohet grupimi në hapësirë të hapur i 15 personave në vend të 10, siç është tani.

“Nëse situata epidemiologjike vazhdon të përmirësohet nga 1 korriku, ora policore do të fillojë në mesnatë dhe do të zgjasë deri në orën 6. Gjithashtu do të lejohet mbajtja e garave sportive, shfaqjeve teatrale dhe ngjarje dhe konferenca të tjera kulturore me prani po me kapacitet të reduktuar deri në 30 për qind të kapacitetit, sipas protokollit të Institutit të Shëndetit Publik (ISHP)”, shtoi Rakacoli.

“Pavarësisht numrave, pandemia nuk ka mbaruar, megjithëse pozitiviteti i testeve mbetet i ulët, ndërsa efekti i imunizimit dihet. Është e rëndësishme të vazhdoni të mbani maska, të ruani distancën dhe higjienën”, tha Albana Fico, drejtoresha e ISHP-së.

Vendimi i Komitetit u miratua pas numrit ndjeshëm të zvogëluar të rasteve të reja me Kovid-19. Dje, pas 244 ditësh, nuk u regjistrua asnjë vdekje, ndërsa numri i të infektuarve të rinj ishte 15 persona ose 0,5 për qind e të testuarve.