Komiteti teknik i ekspertëve për trajtimin e pandemisë, në takimin e parë të vitit të ri, vendosi të zgjasë orën policore në Shqipëri, si dhe ndalimin e fluturimeve me Britaninë e Madhe.
“Vazhdon ora policore nga ora 22:00 deri në orën gjashtë. Universitetet do të vazhdojnë mësimin onlajn për dy javët e ardhshme kurse ndalimi i fluturimeve për në Mbretërinë e Bashkuar është vazhduar deri më 18 janar”, informoi Mira Rakacolli, kryetare e komitetit dhe zëvendësministre e Shëndetësinë dhe Mbrojtjes Sociale.
Sipas saj, në dy javët e fundit ka pasur një rënie të lehtë të infeksioneve të reja, por numri i lartë i djeshëm paralajmëron se “duhet të jemi shumë të kujdesshëm”.
“Presim pasoja të mundshme nga mbledhjet dhe grupimet gjatë festave,” tha Rakacoli.
Tani për tani nuk ka të dhëna të plota për praninë e llojit të ri të Kovid-19 në Shqipëri.
“Në periudhën nga 23 dhjetori deri më 5 janar, incidenca është zvogëluar pak. Krahasuar me dy javët e mëparshme, niveli i incidencës është 177 raste për 100 mijë banorë dhe pozitiviteti është 22 për qind. Mosha mesatare e rasteve të konfirmuara është 47.5 vjeç”, tha Albana Fico, drejtoreshë e Institutit të Shëndetit Publik dhe anëtare e komitetit të ekspertëve.
Ajo shtoi se ka rritje të infeksioneve të reja në grupmoshën 25-25 vjeç, për këtë arsye bëri thirrje për kujdes më të madh tek të rinjtë.
