Besir Arifi, gazetar TV21:
“Në Kumanovë, fshati Mateç dhe Sllupçan janë dy fshatra me më shumë të prekur nga virusi korona. TV21 erdhi këtu për të parë se çfarë thonë banorët e këtyre dy fshatrave, por gjithashtu edhe autoritetet lokale shëndetësore”.
Në Sllupçan qytetarët janë të vetëdijshëm për neglizhencën për mbrojtje, e disa thonë se këto ditë kanë nisur të vetëdijesohen më shumë.
“Të themi të drejtën, këtu s’duhet t’i japim anë asnjërës palë. Respektim hiç nuk ka. Duhet edhe shteti me marrë masa. Me kalu një polici një herë andej, nëse thuhet se dënohet 20 euro për maskë, atëherë pse po prit të mos e dënosh?! Ne krejt kemi familje, nipa e stërnipa nëpër shtëpi, tash unë të bëhem shkaktar që ata të sëmuren? Kurrë jo!” Tha Atulla Abazi, banor i Sllupçanit.
“Tash për tash janë duke u mbajt rregulla më shumë se në orë policore, tash respektohet më shumë. Ata po mendojnë se është turp të testohesh, por nuk është turp. E bën testin, e di, izolohesh 14 ditë, më mirë është për fshatin të testohemi”, tha Behar Demiri, banor i Sllupçanit.
Masat filluan të respektohen më shumë këto ditët e fundit kur u pa se virusi po e mbulon fshatin, shprehet Hanumsha Jashari, doktoresha e një prej ambulancave private. E pohon se pacientët kanë frikë të testohen ose nuk besojnë se korona ekziston, madje tregon se ka pasur raste kur pacientëve të dyshuar u ka caktuar termin, e ata nuk kanë shkuar të testohen.
“Po shumica kanë refuzuar. Në fillim kanë pasur frikë pacientët se nuk është i vërtetë. Ka edhe nga ata që as sot nuk besojnë. Thonë nuk është e vërtetë, se është politikë. Ka pasur rast kur unë e kam çuar pacientin të testohet. Ka qenë i dyshuar, nuk është izoluar, ka dalë ka shëtitur lokaleve, rrugëve, nuk e ka ndalë askush”, tha Hanumsha Jashari, mjeke e përgjithshe.
Doktoresha Jashari pohon se gjendja është alarmante. Apelon që banorët të jenë më të kujdesshëm ndërsa policia të bëjë më shumë kontrolle.
Hanumsha Jashari: Unë sa i njoh, që i kam pacientë, për momentin i kemi tre familje të dyshuara.
TV21: Me sa anëtarë?Hanumsha Jashari: “Ka familje me 16 anëtarë pozitiv, ka familje me 4 anëtarë pozitiv, tash ka filluar një skrining tek ajo familje e besoj që do të dalin edhe më shumë. Ka familje tjetër me 4 anëtarë, edhe aty kanë nisur skriningun”.
Ezani i drekës në Mateç sot arriti të mbledhë shumë pak xhematë në xhami.
Banor i Mateçit: “Numri është zvogëluar 60%. Pse? Për shkak të koronavirusit. Popullata duke e parë se kjo po vazhdon”
Banor i Mateçit “Jo s’dalin. Janë disa të sëmurë, e tash ata po dolën ua ngjisin të tjerëve, prandaj nuk dalin”.
Banor i Mateçit: Nuk dal shumë, me ble një buk dhe më nuk dal.
Deri sa ekipi i TV21 qëndronte në Kumanovë, u kuptua se 12 nga rastet reja në këtë qytet, 9 janë nga Komuna e Likovës. Ky numër është shqetësues për Kryetarin Erkan Arifi, i cili tregon se krahas Sllupçanit e Mateçit, më shumë të infektuar ka edhe në Nikushtak.
“Vetëm në 3 ditët e kaluara kemi pasur diku 24 raste pozitive në Komunën e Likovës dhe 3 të vdekur. Kjo gjendje nuk ka ardhur nga 3 ditë, kjo është nga një periudhë dy javore, të gjithë qytetarët që dalin nga shtëpia duhet të mbajnë maska, të mbajnë distancë sepse ne në komunë këtë rast që e kemi, këtë numër të madh, nuk e ka asnjë komunë rurale në nivel shteti”, tha Erkan Arifi, kryetar i Likovës.
Arifi pohon se nga dje policia ka filluar të shqiptojë gjoba për personat dhe objektet që nuk respektojnë masat për mbrojtje. I pyetur se a po mendojnë për izolim, Arifi tha për TV21 se për këtë po bëhen analizat dhe do të vendoset edhe në koordinim me Shtabin Qendror të krizës.
