Pas katër vitesh, shpresë e re për vazhdimin e punëve në pishinën e Kërçovës e cila ka filluar të ndërtohet që në vitin 2020. Sipas informacioneve të reja tanimë pishinën ka filluar ta ndërtojë një kompani e re e cila jep afat të ri për përfundimin e së njëjtës.
Pamjet e reja tregojnë se pishina tanimë është mbyllur në pjesët anësore dhe janë vendosur dyer dhe dritare, për dallim prej herëve të kaluara ku brenda qëndronin qentë endacakë.
Kësaj radhe nuk kishin qasje për të parë se deri ku janë punimet në pjesën e brendshme të pishinës, por kur e pyetëm kryetarin e komunës së Kërçovës, na tha se deri në vjeshtë do të jetë gati.
“Ka pasur problem të procedurave janë tejkaluar dhe tanimë kemi një moment të ri Ministri për Rini dhe Sport, kompania aktuale që është duke e ndërtuar ka arritur të përmbyllë një pjesë mjaft të madhe të atij projekti shpresojmë që deri në fundin e vjeshtës të përmbyllet, nëse eventualisht nuk nisin problemet tjera me ndryshimin e qeverisë”, tha Dehari.
Por kërçovarët janë skeptikë që kjo pishinë do të përfundojë. Madje e kanë kthyer në një shaka.
– “Jo moj asgjë nuk bëjnë! Për cilin pishinë flet, për atë të Ohrit?! Jo, jo asgjë nuk bëhet këtu”
-“Çfarë pishine ku është ajo pishinë, ku është? Është për t’u larë qentë! Po, po do të “bëhet” Amerika do ta bëjë”
Kjo pishinë ka filluar të ndërtohet në vitin 2020 dhe ishte paraparë të përfundonte brenda 18 muajve. Pishina e mbyllur, e para e këtij lloji në Kërçovë, është një investim nga Agjencia për Rini dhe Sport, që e kap vlerën 43 milionë denarë.
