Shporta e Vitit të Ri, VLEN dhe VMRO-DPMNE në hapat e LSDM-së dhe BDI-së

TË FUNDIT

Derisa ishin në opozitë kritikonin dhe tallnin, tani kur janë në pushtet shkojnë nëpër dyqane për të kontrolluar nëse çmimet kanë rënë me “shportën e Vitit të Ri” që sipas tyre tani është diçka normale. Në gjurmët e Dimitar Kovaçevskit nga LSDM dhe Kreshnik Bekteshit nga BDI, në vizitën e sotme ministri i Ekonomisë dhe zëvendësi i tij, Besar Durmishi nga VLEN dhe Marjan Risteski nga VMRO-DPMNE, si dhe i pari i Inspektoratit të Tregut Vllatko Stojkoski u lavdëruan se çmimet janë ulur të paktën për 10%.

I pari i Inspektoratit të tregut u lëvdua se tregtarët i kanë ulur çmimet për të paktën 10% krahasuar me çmimin më të ulët të produkteve nga 15 nëntori deri më 15 dhjetor. Disi me droje tha se i kanë kontrolluar edhe çmimet para 15 nëntorit për shkak se sipas Entit për statistikë, inflacioni në nëntor 2024 është për 4,3% më i lartë krahasuar me të njëjtin muaji vitin e kaluar, ndërsa ushqimi është shtrenjtuar për 5,7%.

Sipas ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve, ISHT i kontrollon çmimet maksimum një muaj para zbritjeve, me çka zbritja duhet të bëhet në bazë të çmimit më të ulët të asaj periudhe të kontrolluar. Tregtarët nëse i rrisin çmimet në mënyrë enorme 31 ditë paraprakisht, në këtë rast para 15 nëntorit, nuk përfshihen në kontrollet ligjore.