Shporta e konsumatorit është rritur për 1000 denarë! LSDM: Rriten edhe rrogat, por ndërmarrim masa

TË FUNDIT

Në muajin mars, shporta e konsumatorit ka qenë 36.786 denarë, kurse nga fillimi i vitit ka shënuar rritje për 1.000 denarë. Këtë e konfirmojnë edhe çmimet e produkteve ushqimore bazë nëpër tregjet dhe marketet e vendit. Për ushqim dhe pije, në mars nevojiteshin 15.780, kurse për shpenzime komunale 11.597 denarë. Pjesa tjetër e parave nga shporta minimale e konsumatorit ishin për transport, veshmbathje dhe shërbime shëndetësore.

“-Sa kushtojnë vezët?
-12 denarë. Keni edhe me dy të verdha, ato jenë 15 denarë.

Produktet që i blej vazhdimisht, janë shtrenjtësuar.
-Janë rritur çmimet e vajit gatimi dhe vezëve, madje vajin nuk mund ta gjejmë askund. Domatet po, janë më të shtrenjta. Para festës së Pashkëve zakonisht i rrisin çmimet.
-Sa i blini vezët?
-270 denarë një paketim. Para 10-15 ditëve ishin 240. Si bënim deri më tani, ashtu edhe tash, do të shkurtojmë diçka, ndoshta do t’i rrisin edhe pensionet”.

Sipas të dhënave statistikore, në mars inflacioni ka qenë 8,8% në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, kurse çmimet me pakicë kanë shënuar rritje për 9,6%. Në shkurt ka pasur rritje për 1,6% në pjesën e shpenzimeve për jetesë dhe 1,5% tek çmimet me pakicë.

“Sot, dy rroga minimale janë të mjaftueshme për ta mbuluar shportën sindikale të konsumatorit, e cila për muajin mars ishte 36.768 denarë. Para disa vjetëve, që të mbulohet shporta minimale nevojiteshin mbi katër paga minimale”, tha Fanica Nikollovska nga LSDM.

Lufta në Ukrainë tronditi tregjet e drithërave dhe vajit vegjetal, duke bërë që çmimet botërore të ushqimeve të rriten në një rekord të ri në mars, thonë nga Organizata e OKB-së për Ushqim dhe Bujqësi.
Ukraina dhe Rusia janë eksportuesit kryesorë të produkteve ushqimore bazë, kurse lufta ka goditur prodhimin bimor, duke shkaktuar rritjen e çmimeve. Rreth 30% e grurit në botë vjen nga Ukraina dhe Rusia, ndërsa konflikti ka ndikuar edhe mbi eksportet.