Shpenzimet globale për armatim vitin e kaluar arritën 2,887 miliardë $, me rritjen më të madhe në Evropë dhe Azi

TË FUNDIT

Shpenzimet për armatim në botë vitin e kaluar arritën në 2.887 miliardë dollarë, që paraqet një rritje reale prej 2,9% krahasuar me vitin 2024, thuhet në raportin e Institutit Ndërkombëtar të Stokholmit për Kërkime të Paqes (SIPRI), përcjell tv21.

Sipas raportit, shpenzimet ushtarake ranë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por u rritën me 14% në Evropë dhe me 8,1% në Azi dhe Oqeani. Tre vendet me shpenzimet më të mëdha – SHBA, Kina dhe Rusia – së bashku shpenzuan 1.480 miliardë dollarë, ose 51% të totalit global.

Ky është viti i 11-të radhazi me rritje të shpenzimeve ushtarake, ndërsa barra globale ushtarake, pra përqindja e shpenzimeve ushtarake në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) – arriti në 2,5%, niveli më i lartë që nga viti 2009.

Edhe pse rritja prej 2,9% është më e ulët se rritja prej 9,7% e regjistruar në vitin 2024, ngadalësimi shpjegohet kryesisht me uljen e shpenzimeve në SHBA.

Kontributi kryesor në rritjen globale në vitin 2025 erdhi nga Evropa, ku shpenzimet u rritën me 14% dhe arritën në 864 miliardë dollarë. Në të njëjtën kohë, shpenzimet ushtarake të Rusisë dhe Ukrainës vazhduan të rriten në vitin e katërt të luftës, ndërsa përpjekjet e vendeve evropiane të NATO-s për riarmatimin sollën rritjen më të madhe vjetore në Evropën Qendrore dhe Perëndimore që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Shpenzimet ushtarake të Rusisë u rritën me 5,9% në vitin 2025, duke arritur në 190 miliardë dollarë, që përbën 7,5% të PBB-së.

Sipas metodologjisë së SIPRI-t, 29 vende evropiane anëtare të NATO-s shpenzuan gjithsej 559 miliardë dollarë në vitin 2025, ku 22 prej tyre ndanë të paktën 2% të PBB-së për mbrojtje.

Gjermania është shpenzuesi më i madh ushtarak në këtë grup, me rritje prej 24% në 114 miliardë dollarë. Shpenzimet e saj ushtarake tejkaluan për herë të parë që nga viti 1990 pragun prej 2%, duke arritur në 2,3% të PBB-së.

Raporti shton se në vitin 2025 shpenzimet ushtarake të vendeve evropiane të NATO-s u rritën me ritmin më të shpejtë që nga viti 1953, duke reflektuar synimin për më shumë pavarësi evropiane dhe presionin e SHBA-së për ndarje më të drejtë të barrës brenda Aleancës.