Sipas Shpend Ahmetit, ndërtimtarët janë me rëndësi, mirëpo nuk do të thotë kjo se mund të plotësohet çdo kërkesë e secilit ndërtimtar, posaçërisht, nënvijëzoi Ahmeti, kur dihet se kërkesat e disa prej tyre kanë prapavijë politike.
“Me Shoqatën e Ndërtimtarëve kemi pasur disa takime dhe janë plotësuar disa kërkesa të tyre, duke përfshirë edhe kërkesën kryesore që t’i pranojnë garancionet e kompanive të sigurimit, gjë që e kemi aprovuar brenda dy ditëve. Ka qenë kërkesa për pagesën e borxheve me këste, që e kemi aprovuar. Njëkohësisht, jemi dakorduar që të punojmë në konkretizimin e marrëveshjes për të plotësuar edhe kërkesat e tjera të tyre që kishin të bënin me heqjen e disa kushteve për leje. Lidhur me këtë, ne kemi krijuar një grup ku shoqata e ndërtimtarëve e kanë një përfaqësues të tyre që e ka zyrën në Drejtorinë e Urbanizmit. Bashkë me USAID-in jemi dakorduar që një grup punues t’i shqyrtojë edhe kërkesat e tjera”, tha Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti në një takim me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu.
“Pavarësisht shqetësimeve të ngritura nga Shoqata e ndërtimtarisë lidhur me procedurat e dhënies së lejeve për ndërtim, duhet shteruar të gjitha metodat institucionale në mënyrë që të tejkalohet kjo situatë dhe të prodhohet një bashkëpunim i frytshëm që do të jetë në dobi të të dy palëve. Vetëm përmes një dialogu konstruktiv mund të avancohet partneriteti i domosdoshëm dhe të tejkalohen problemet që janë grumbulluar gjatë shumë viteve. Tashmë në Komunën e Prishtinës është një realitet i ri, mirëpo jam i bindur se me një përkushtim dhe vullnet të mirë do të gjinden mundësitë që të gjejnë mirëkuptim disa prej kërkesave të ndërtimtarëve, veçanërisht në aspektin e përshpejtimit të procedurave të dhënies së lejeve ndërtimore. Pas këtij takimi mbetem optimist se Komuna e Prishtinës do të angazhohet edhe më shumë në krijimin e lehtësirave si dhe do të thjeshtojë procedurat burokratike brenda mundësive të saj ligjore, ndonëse një përpjekje e tillë në vazhdimësi është evidente”, tha Gërxhaliu nga ana tjetër./ 21MEDIA
