Ministria e Arsimit dhe Shkencës publikoi thirrje për interesimin e mësimdhënësve të gjuhës angleze të cilët do të ligjërojnë në shkollën e parë fillore shtetërore ndërkombëtare. Mësimi do të fillonte në vitin 2016/2017, shkolla ku do të ketë mësim nga klasa e parë do të jetë në ndonjërën prej shkollave ekzistuese në Shkup, ndërsa ligjëruesit duhet të kenë certifikatë për njohjen e gjuhës angleze.
MASH do ta realizojë projektin në bashkëpunim me Këshillin britanik – Shkup. Afati për paraqitjen e kandidatëve të interesuar për të qenë mësimdhënës në shkollë është deri më 25 nëntor.
Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Spiro Ristovski sot deklaroi se në vitin e parë do të hapeshin një apo më së shumti dy paralele, ndërsa regjistrimi do të jetë pa kompensim në të holla. Sqaroi se lëndët kryesore do të jenë në gjuhën angleze, ndërsa gjuha amtare do të mësohet si edhe në mësimin e rregullt. Për këtë projekt janë përpunuar edhe programe të veçanta të Byrosë për zhvillimin e arsimit.
“Në pjesën më të madhe mësimi do të jetë në gjuhën angleze, në njëfarë mënyre funksionaliteti i kësaj shkolle do të jetë bilingual. Do të fillojmë me një deri në dy paralele për ta parë interesimin e nxënësve gjegjësisht familjeve të cilët dëshirojnë t’i kyçin fëmijët e tyre në këtë lloj arsimimi në gjuhën angleze. Gjithnjë e më shumë ka interesim te prindërit dhe fëmijët për të mësuar në gjuhën angleze, një pjesë e tyre regjistrohen në shkolla private. Prandaj si Qeveri vendosëm fillimisht të gjejmë kuadër përkatës. Plani është në njërën prej komunave të Shkupit, në shkollat ekzistuese, të hapen paralelet e para. Më pas, sipas asaj se si do të zhvillohet interesimi, do t’i përcaktojmë hapat vijuese. Në këtë moment është shumë ambicioze të definojmë një shkollë të tërë që do të jetë shkollë në të cilën do të mësohet gjuha angleze”, deklaroi Ristovski.
Pas përfundimit të afatit për paraqitje, aplikantët do të përzgjidhen nga MASH dhe Këshillit Britanik. Të përzgjedhurit do të shkojnë në trajnim shtesë për gjuhën angleze në Këshillin britanik dhe do të kenë përgatitje psikologjike-metodologjike shtesë për zbatimin e këtij lloji të mësimit. Pritet mësimi të fillojë nga viti i ardhshëm shkollor. Deri atëherë MASH, krahas përzgjedhjes së kuadrit, do ta përzgjedhë lokacionin dhe do të punojë në përgatitjen e kushteve infrastrukturore.
