Përfaqësuesja e futbollit e Maqedonisë edhe zyrtarisht e nis kapitullin e ri me Goce Sedloskin në postin e përzgjedhësit, pasi ai publikoi listën e parë të futbollisteve për ndeshjen e ardhshme të barazhit për kualifikim në Kampionatin Botëror kundër Danimarkës. Në listë ka disa ndryshime krahasuar me ftesat e mëparshme nga koha e Bllagoja Milevskit. Në përfaqësuese rikthehen Boban Nikollov dhe Ljupçe Doriev, ndërsa fanellën e Maqedonisë për herë të parë do ta veshin tre futbollistë të rinj. Bëhet fjalë për futbollistin e Shkëndisë, Imran Fetai, sulmuesin Dani Musovski nga klubi amerikan Seattle Sounders, si dhe mbrojtësin e djathtë Sebastian Herrera, futbollist i Borac Banja Llukës, i cili posedon pasaportë të Maqedonisë.
“Vendosa kuadrin e lojtarëve të mos e ndryshoj shumë, ata lojtar që kishin mbi supe ndeshjet kualifikuese të mbeten të njëjtët, vetëm të freskojmë me disa lojtarë të rinj, me disa të rikthyer për ta rrumbullaksuar numrin me 28 lojtarë”, tha Goce Sedlloski – Seleksionues.
Sedloski thotë se Danimarka është favorit në letër por siç shtoi, terreni mund të ndryshojë gjithçka.
“Normal luajmë ndaj një përfaqësuese siç është Danimarka, a kanë lojtarë të lënduar e ajo, ata kanë zëvendësime, e dimë ku luajnë lojtarët e tyre. Nuk frikësohemi, do të dalim guximshëm, kolektivisht, të luajmë njëri për tjetrin. Të gjithë e vlerësojnë favorit Danimarkën në letër, por në futboll ka shumë punë të cilat mund të ndryshojnë. Terreni do të tregojë gjithçka në atë ndeshje”, tha Goce Sedlloski – Seleksionues.
Grumbullimi i parë i përfaqësueses nën drejtimin e Sedloskit është caktuar për të hënën.
Pas përgatitjeve të shkurtra në kryeqytet, përfaqësuesja do të udhëtojë drejt Kopenhagës, ku do ta zhvillojë ndeshjen gjysmëfinale të barazhit kundër Danimarkës. Nëse Maqedonia arrin ta mposhtë përfaqësuesen daneze, në finalen e barazhit do të përballet me fituesin e duelit ndërmjet Çekisë dhe Irlandës. Përfaqësueset humbëse nga këto përballje do të zhvillojnë një ndeshje miqësore mes tyre.
