Trajneri i përfaqësueses së futbollit, Blagoja Milevski ka përzgjedhur lojtarët në të cilët do të llogarisë për ndeshjen kualifikuese kundër Ukrainës, si dhe për miqësoren me Armeninë e cila do të zhvillohet në Strumicë. Fokusi është te përballja me ukrainasit, përfaqësuese me të cilën kemi po aq pikë në grup, përfaqësuese për të cilën mund të thuhet se na ka borxh, duke pasur parasysh se si fituan në Shkup në muajin qershor, përcjell TV21. Milevski për këto duele nuk i ka thirrur sulmuesit Ilija Nestorovski dhe Dorian Babunski, por në vend të tyre në vijën sulmuese do të jenë Valon Etemi dhe Darko Çurlinov. Milevski tha se me Ukrainën pritet të jetë një ndeshje e hapur.
“Mendoj që tashmë po hyjmë në ndeshjet e fundit të këtyre kualifikimeve dhe sa na përket neve por edhe Ukrainës mendoj që vetëm fitorja për dy përfaqësueset është situata optimale, kështu që pres që do të shohim një ndeshje të hapur sepse rezultati barazi nuk i konvenon asnjërit ekip, duke parë faktin që mbeten dy ndeshje me Italinë dhe Anglinë kështu që do ta shohim”, tha Bllagoja Milevski – seleksionues i Maqedonisë së Veriut .
