Drejtoria e Doganave ka parandaluar një tentim për kontrabandimin e ilaçit “Xgeva”, i cili përdoret për trajtimin e sëmundjeve malinje. Ilaçi u zbulua gjatë kontrollit të një autobusi në pikën kufitare të Bogorodicës, në hyrje të vendit, përcjell TV21. Sipas Doganave, shoferi i autobusit, shtetas i Kosovës, kishte fshehur në kutinë e ndihmës së parë 29 ampula me tretësirë mjekësore, me vlerë prej 336 mijë denarësh, si dhe 29 kuti dhe 30 etiketa ngjitëse. Për rastin është ngritur kallëzim penal ndaj shoferit për veprën penale të kontrabandimit. Nga Drejtoria e Doganave bëjnë të ditur se gjatë këtij viti, në pikat kufitare janë sekuestruar mbi 30 mijë njësi barnash. Sipas tyre, importi dhe transporti i këtyre ilaçeve u nënshtrohen lejeve dhe standardeve të posaçme.



