Ekipet snajperiste të Njësisë Speciale Antiterroriste “Tigrat” kanë zënë vendin e nëntë në garën ndërkombëtare të qitjes me snajper “BORAN 8”, e cila u mbajt në Turqi. Në garë morën pjesë 48 ekipe nga 22 shtete, përcjell TV21. Sipas njoftimit të Policisë, me këtë rezultat, pjesëtarët e njësisë së Maqedonisë dëshmuan aftësitë e tyre në një konkurrencë të fortë ndërkombëtare, ku shtatë vendet e para u zunë nga ekipet turke, ndërsa vendi i tetë i takoi një ekipi nga Azerbajxhani.
“Një rezultat veçanërisht mbresëlënës u arrit në disiplinën e qitjes me pistoletë, ku ekipi maqedonas grumbulloi gjithsej 2.098 pikë, dukshëm mbi mesataren e garës, e cila ishte 1.173 pikë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Përveç rezultateve sportive, ekipi i “Tigrat” u vlerësua edhe për sjelljen profesionale dhe frymën sportive, duke u përzgjedhur ndër tri ekipet më të mira në kategorinë “Fair Play”. Sipas Policisë, pjesëtarët e njësisë e përfaqësuan denjësisht vendin në këtë garë ndërkombëtare, duke dëshmuar përgatitjen, profesionalizmin dhe respektin ndaj pjesëmarrësve të tjerë.
