Shoferët vazhdojnë të flenë nëpër autobusë/ Taravari vlerëson se Arsovskës duhet t’i merren kompetencat

TË FUNDIT

Transportuesit privatë vazhdojnë të flenë nëpër autobusë. Njëri nga shoferët tregon për gjendjen e vështirë financiare dhe emocionale në të cilën ndodhen.

“24/7 jemi në autobusë. Si janë kushtet? Të këqija, të vështira. Kryetarja e ka të lehtë, fle në shtëpi, ajo ka të holla për bukë e ne nuk kemi. Ftohtë e kemi, mundohemi me bombola gazi por kur është ftohtë, nuk ndihmojnë, kemi dhënë 50 mijë euro për autobusë të ri, e na la të flemë në ulëse kryetarja. Kam fëmijë 1 vjet, nuk e shoh, për kë, për kryetaren e Qytetit që nuk është në gjendje të gjejë zgjidhje.”- tha Nikollço Dodovski – Shofer

Komunikim a keni me Kryetaren?
Jo nuk kemi asnjë komunikim.
Pse ashtu?
Kemi kërkuar disa herë të na pranojë dhe nuk na ka pranuar.

U.d kryetar i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari erdhi në Shkup për t’i takuar e për t’ua dëgjuar hallin, shoferëve të autobusëve të kompanive private. Në bisedë me përfaqësuesit e tyre, vlerësoi se Kryetarja e Qytetit të Shkupit Danella Arsovska është dashur që së paku të kishte mbajtur takim me ta.
“Unë mendoj se është sjellje shumë jokorrekte prej Kryetares së Qytetit të Shkupit, ajo duhet të kontaktojë, të ulet me ata e të bisedojë dhe të gjindet një zgjidhje. Kështu që nëse ka papërgjegjësi nga ana e saj unë mendoj se kanë të drejtë dhe kërkesat të cilët i bëjnë transportuesit privat, eventualisht t’i merren kompetencat dhe Qeveria të merret me këtë punë më tutje.”- deklaroi Arben Taravari – u.d kryetar i ASH.

Zëvendëskryeministri për çështje ekonomike Fatmit Bytyqi nuk e mbështet marrjen e kompetencave të Qytetit të Shkupit. Thotë se kjo do ishte 20 vjet kthim mbrapa, pasi siç shtoi, Qyteti i Shkupit duhet ta zgjidh problemin.
“Ne e kemi zgjedhur problemin me energjinë termike, e kemi zgjedhur problemin me energjinë elektrike në të gjithë vendin, dhe ndoshta do të hyjmë në negociata, por atëherë do të thotë diçka tjetër, marrjen e kompetencave të Qytetit të Shkupit, duke hyrë në ndryshime thelbësore dhe sistematike, nuk e di, sepse këtë sjellje të autoriteteve e konsideroj si të dëmshme jo vetëm për qytetarët e qytetit të Shkupit, por edhe për funksionimin e sistemit.”- deklaroi Fatmir Bytyqi – zv/kryeministër.

Ndërsa përfaqësuesit e transportuesve privat shpresat i mbajnë tek Qeveria për zgjidhjen e problemit. Kërkojnë nga kryeministri i vendit, të gjejë zgjidhje për problemin në fjalë.
“Me shumë mundësi do të ketë një radikalizim të protestave por trupi koordinues duhet të takohet para kompanive private dhe të bien dakord për hapat e mëtejshëm.”- tha Kemal Muriq.

Megjithatë shoferët e autobusëve thonë se do vazhdojnë me protestën deri sa t’ua paguajnë borxhin. Përveç kësaj protestat mund të radikalizohen përsëri në udhëkryqe në kryeqytet.