Shkupi u zgjua i heshtur, rrugët e boshatisura si anjëherë më parë!

TË FUNDIT

Shkupi sot u zgjua i heshtur.

Në qendër të qytetit nuk është më zhurma e qytetarëve, apo muzika e lokaleve në Rrugën Maqedonia. Gjithçka pushon në qetësinë e natyrës. Në Bit Pazar, dyqanet janë të gjitha të mbyllura.

Edhe rrugët me kalldrëm në Çarshinë e Vjetër pushojnë nga hapat e shumtë e të shpejtë të qytetarëve që gjithmonë vrapojnë për diku.

Kjo atmosferë ishte edhe në qytetet e tjera të vendit. Prej dje nga ora 16 deri në ditën e hënë në ora 5 të mëngjesit Republika është në shtetrrethim. Qytetarët që thyejnë orën policore, do të dënohen me gjobë në të holla ose me burg prej 1 viti, thotë neni 206 i kodit penal. Gjatë 24 orëve të kaluara 79 persona nuk e respektuan ndalesën e lëvizjes thonë nga Ministria e Brendshme.

“Sa i përket ndalimit të lëvizjes, është regjistruar se në nivelin e të gjithë vendit 79 persona nuk e respektuan ndalimin e lëvizjes, dhe 42 persona u arrestuan. Për pjesën tjetër janë marrë të dhëna dhe do të pasojnë masat e duhura”, theksuan nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Po ashtu, sipas policisë, 97 personave u janë dhënë vendime për izolim, dhe 423 persona kanë nënshkruar deklarata të vetëizolimit. Policia ka kryer edhe inspektime të personave të izoluar por nuk ka regjistruar asnjë person që ka shkelur masën e vetëizolimit.