Për 80 orë Shkupi ishte i qetë dhe me rrugë të zbrazëta. Pasi përfundoi ora policore në 5 të mëngjesit, qyteti filloi të ringjallet. Në pikëpagesën në Gllumovë vazhdimisht hynin vetura me targa të Shkupit, kurse trafiku ishte rënduar edhe brenda qytetit.
Fatbardha Curri, gazetare:
“Sipas të dhënave të Ndërmarrjes Publike “Rrugë shtetërore”, nga kjo pikëpagesë që gjendet në Gllumovë të Shkupit për tre orë kanë hyrë 9 mijë vetura.”
Sipas qytetarëve që u panë duke qarkulluar në këtë pikëpagesë, shumica e shkupjanëve vinin nga Ohri, Mavrova dhe Struga.
Qytetar: “Për fundjavë ishim.
TV21: Për shkak të orës policore?
Qytetar: “Jo ashtu, kemi banesë atje. Shkojmë rregullisht”
TV21: Ishit për fundjavë?
Qytetar: “Po, po”
TV21: Për të pushuar?
Qytetar: “Po, po”
Qytetar: “Prej Mavrovës. Jo bre, ajri është shumë i ndotur në Shkup dhe po shkojmë në ajër të pastër. Nuk na ndihmojnë maskat e tilla në Shkup, shkuam në ajër të pastër, fëmijët të marrin ajër”
TV21: Prej kur keni shkuar?
Qytetar: “Nga e mërkurja. Nuk punojmë asgjë, na i mbyllën të gjitha, s’kemi çfarë të punojmë dhe shkuam në mal. Flejtëm në tenda”
Qytetar: “Prej Strugës po vijmë”
TV21: A ishit për shkak të orës policore?
Qytetar: “Jo, ishim ashtu, ta shfrytëzojmë fundjavën”
Ikja e shkupjanëve nga Shkupi i mbushi qytetet turistike. Kafenetë ishin të mbushura me klientë dhe për këtë shkak MPB dhe Inspektorati Shtetëror i Tregut realizuan inspektime. Vetëm në Ohër janë evidentuar 18 shkelje.
“Fundjavën e kaluar në bashkëpunim me Inspektoratin Shtetëror të Tregut janë realizuar 1543 kontrolluar në objekte hotelerike, ku janë konstatur 22 shkelje dhe atë, 18 raste në territorin e Sektorit të Punëve të Brendshme në Ohër dhe 4 në territorin e Sektorit të Punëve të Brendshme të Strumicës,” tha Naqe Çulev, ministër i Punëve të Brendshme>
Të rrallë ishin turistët që mbanin edhe pajisje mbrojtëse. Shkeljet më të mëdha janë regjistruar në Strumicë me 417 raste dhe në Ohër me 356 raste të shkeljes, nga 1777 shkelje në tërë shtetin. Është shkelur edhe ora policore, Sipas të dhënave të MPB-së, prej të enjten në ora 21, deri të hënën në ora 5 të mëngjesit, në territorin e shtetit orën policore nuk e kanë respektuar 622 persona, prej të cilëve më së shumti në Shkup, me 340 shkelje.
Në pikëpagesën në Gllumovë sot nuk hynin vetëm vetura të thjeshta, por edhe ato zyrtare të cilët shoqëroheshin me policë.