Ndeshja e xhiros së dytë e Ligës së Parë të Futbollit të Maqedonisë mes Shkupit dhe Sileksit, e parashikuar të luhet nesër në orën 17:00, nuk do të zhvillohet. Lajmin e ka konfirmuar Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM), duke theksuar se arsyeja është mungesa e një fushe të përshtatshme nga ana e klubit vendas.
Komisioni i ndeshjeve pranë FFM-së në mbledhjen e ardhshme do ta shqyrtojë rastin dhe do të marrë masa sipas rregullores.
“FFM ka treguar mirëkuptim të plotë për situatën në të cilën gjendet klubi dhe i është dhënë më shumë se mjaftueshëm kohë për të gjetur zgjidhje. Bëmë gjithçka që të gjithë klubet të kenë kushte të rregulluara në fillim të sezonit. Por, nëse drejtuesit e klubit nuk kanë kapacitet t’i kryejnë detyrimet e tyre, përgjegjësia bie vetëm mbi ta dhe jo mbi FFM-në,” thuhet në reagimin e federatës.
Në njoftim shtohet se FC Shkupi ditët e fundit ka dërguar informacione të pasakta për katër stadiume të ndryshme ku gjoja do të zhvillohej ndeshja, duke krijuar konfuzion shtesë.
FFM thekson se do të respektojë në tërësi rregulloret dhe shpreson që Shkupi ta tejkalojë situatën aktuale për të krijuar kushte normale për zhvillimin e ndeshjeve.
Federata paralajmëron se nëse Shkupi pëson dy humbje, kjo do të nënkuptojë edhe përjashtim nga Liga e Parë e Futbollit të Maqedonisë.
